Bëhuni pjesë e fushatës “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës”

30 Maj, 2020 - 10:00 am

Fushata “Në mbështetje të studentëve të Universitetit të Prishtinës” ka për qëllim ngritjen e fondeve që do të mundësojnë mbështetjen e studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët kanë synim fillimin e rrugëtimit të tyre në ndërmarrësi përmes Qendrës së Ndërmarrësisë dhe Inkubimit, VentureUp.

Kjo fushatë u mundësua falë biznesmenit dhe filantropit Shqiptaro-Amerikan, Ramiz Kukaj, pronar i restaurantit të mirënjohur në Nju Jork ‘Çka ka Qëllu’, i cili pranoi ftesën që t’i bashkohet kësaj iniciative duke e ditur nevojën e madhe që studentë e këtij Universiteti kanë për qasje ndaj mundësive dhe resurseve për të krijuar një të ardhme të suksesshme për veten dhe vendin.

“Vazhdimisht themi se rinia është e ardhmja e Kosovës, mirëpo shpesh-herë e shohim se rinia po vazhdon të ballafaqohet vet me sfidat dhe problemet, dhe rrallë herë marrin ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme drejt suksesit. Jemi me fat të kemi një rini kaq aktive, ambicioze dhe kapacitet të arrijë majat botërore, dhe tash e kemi mundësinë konkrete t’u japim një ndihmë të vogël, por që do të thotë shumë për ta, për ndërmarrjet që do të krijojnë dhe pashmangshmërisht në zhvillim të vendit” u shpreh Kukaj.

Venture Up është Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inkubatori i Universitetit të Prishtinës. Kjo qendër ofron mbështetje për ndërmarrës, mentorim dhe trajnim për studentët të cilët dëshirojnë të transformojnë idetë e tyre në biznese reale, dhe organizata të vet-qëndrueshme.

Me fondet e ngritura, VentureUp synon të inkuboj 17 ndërmarrje të reja ‘startup’, me 51 ndërmarrës të rinj, të ofrojë trajnime online për 14 javë, të ofrojë 150 orë mentorim për studentët, si dhe 60 orë/muaj trajnime në Aftësi të Buta. Qëllim është që të aftësohen 4,800 të rinj deri në Shtator të 2020-së.

Ju mund të dhuroni duke klikuar në linkun:  https://bit.ly/2zTl8Ua

Të fundit

Të ngjajshme