1 Gusht, 2025 - 7:27 pm
Në një botë ku arti shpesh lidhet me çmime marramendëse dhe tregti të mëdha, historia e Eugenio Arias, berberit të Pablo Picasso-s shkëlqen si një dritë e pastër humanizmi dhe dashurie për artin.
Gjithçka nisi në vitin 1944, në një qytet të vogël të Francës, ku Picasso, tashmë një gjeni i njohur, takon berberin Arias. Të dy ishin spanjollë, të mërguar nga regjimi i Francos, dhe të lidhur thellë pas shpirtit njerëzor dhe vlerave demokratike.
Arias, i thjeshtë dhe fisnik, nuk pranoi kurrë të paguhej për shërbimin e tij ndaj artistit të madh. Në vend të parasë, Picasso i dhuronte vepra arti: vizatime, gdhendje, objekte të vogla, të gjitha me dorën dhe shpirtin e tij.
Me kalimin e viteve, Arias grumbulloi 60 vepra origjinale të Picassos, një koleksion i paçmueshëm, që do të kishte vlerë miliona dollarë në çdo ankand ndërkombëtar.
Por ai nuk shiti asgjë. Në vend të kësaj, në vitin 1985, e dërgoi të gjithë koleksionin në fshatin e tij të lindjes, Buitrago del Lozoya, dhe e ktheu në muze për të gjithë ‘Museo Picasso – Colección Eugenio Arias’.
Ky muze i vogël, por i mbushur me frymë dhe histori, mbetet i hapur edhe sot, si një simbol i fuqishëm i miqësisë, besnikërisë dhe shpirtit njerëzor.
Eugenio Arias u nda nga jeta në vitin 2008, por la pas një trashëgimi që nuk blihet me para, një shembull të vërtetë se arti nuk është për ta mbajtur, por për ta ndarë me botën./KultPlus.com