15 Korrik, 2025 - 7:28 pm
Akademia e Shkencave të Shqipërisë mblodhi asamblenë e saj nën drejtimin e kryetarit Skënder Gjinushi, me praninë e kryesisë dhe të anëtarëve të Asamblesë.
Mbledhja kishte për qëllim zhvillimin e votimit për avancimin në titull të tre akademikëve të asociuar, votimin për një akademik në fushën e historisë, pranimin si anëtar nderi të një personaliteti të shquar në fushën e shkencës dhe zgjedhjen e një anëtari të ri të jashtëm të Akademisë.
Asambleja përmes një votimi ceremonial zgjodhi prof. Melisa Perry si anëtare nderi e Akademisë së Shkencave.
Në motivacionin e lexuar nga Gjinushi u nënvizua profili i saj si një nga figurat më të shquara në shkencën e shëndetit publik në nivel global, me kontribute të rëndësishme në epidemiologji, toksikologji mjedisore dhe ndikimeve të ndotjes në shëndetin publik. Me angazhime të vazhdueshme në shkencën shqiptare, ajo ka qenë nismëtare e konferencës së parë mbi infodeminë dhe organizatore kryesore e Konferencës Ndërkombëtare për Shëndetin Publik dhe Mjedisin në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave.
Prof. dr. David Kalaj një personalitet i shquar në shkencën e matematikës u zgjodh anëtar i jashtëm i ASHSH-së. Ai është autor dhe bashkautor i 125 artikujve shkencorë, prej të cilëve 120 janë botuar në revista të indeksuara, si: Mathematische Annalen, Advances in Mathematics dhe Transactions of the AMS. Sipas Google Scholar-it, puna e tij është cituar rreth 1800 herë.
Ai ka bashkëpunuar me matematikanë të njohur ndërkombëtarë dhe ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore. Prof. Kalaj ka përkthyer mbi 10 tekste shkollore nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe.
Asambleja vlerësoi punën dhe rezultatet në kërkimin shkencor të tre akademikëve të asociuar, Besnik Baraj, Gëzim Hoxha, Stefan Çapaliku, që pas votimit morën titullin akademik.
Në fushën e historisë Asambleja zgjodhi prof. dr. Hamit Kabën si anëtar të ri të saj./atsh/KultPlus.com