5 Gusht, 2025 - 2:00 pm
Më 5 gusht 1943 nisi një nga përballjet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, Lufta e Konispolit, e njohur si beteja më e gjatë kundër forcave pushtuese naziste në të gjithë Ballkanin.
Kjo betejë u zhvillua nga 5 gushti deri më 28 shtator 1943, duke zgjatur plot 55 ditë, dhe përbën luftimin e parë në kufirin shtetëror shqiptaro-grek kundër trupave gjermane. Përballja është regjistruar në historinë e vendit si një nga luftimet më të zgjatura të periudhës së rezistencës, transmeton KultPlus.
Qëllimi i komandës gjermane ishte sigurimi i kontrollit të vijës bregdetare të Jonit, që shtrihej nga Gjiri i Artës deri në Konispol, për të garantuar lëvizjen strategjike të ushtrisë në drejtim të Greqisë. Rezistenca shqiptare, nën drejtimin e Batalionit “Çamëria”, u mbështet edhe nga forca vullnetare lokale, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në përballjen me pushtuesit.
Luftime të ashpra u zhvilluan përgjatë rrugës automobilistike Skalomë–Konispol, si dhe në drejtimin Lopës–Qafa e Likojanit, ku rezistenca shqiptare përpiqej të pengonte përparimin e trupave naziste.
Në përfundim të luftimeve, trupat gjermane arritën të pushtonin Konispolin, duke siguruar kështu lëvizjen e lirë të ushtrisë së tyre nëpër Ballkan dhe duke hapur rrugën drejt Greqisë.
Megjithëse Konispoli ra, qëndresa e shqiptarëve në këtë betejë dëshmoi vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur territorin, dhe mbetet një nga shembujt më të spikatur të luftës çlirimtare në Shqipëri./KultPlus.com