Bienalja e Venecias – ndryshe nga të mëparshmet

23 Prill, 2022 - 6:26 pm

Bienalja e 59-të e Artit që hapet në Venecia do të jetë ndryshe: Lufta po lë gjurmë në botën e artit – dhe kjo nuk shihet vetëm në Pavijonin e Ukrainës.

“Sky”, “Serenity” ose “Audiction” janë emrat e jahteve të mëdhenj që ankorohen çdo vit në Riva Sette Martiri, shtegu kryesor për pelegrinët e artit në Venecie, që ndodhet midis pikave të takimit Arsenale dhe Serra dei Giardini. Por oligarkët artdashës të Rusisë këtë herë nuk do ta popullojnë Lidon. Ata nuk do të jetë rusët e vetëm që do të mungojnë sivjet: Edhe pavijoni i Rusisë në Bienale do të mbetet bosh. Kirill Savçenkov dhe Aleksandra Sukhareva, të cilët do të performonin aty, e kanë anuluar pjesëmarrjen në Venecia. Aleksandra Sukhareva me origjinë ruse shkroi në Facebook: “Nuk ka vend për art kur civilët po vdesin nga goditjet e raketave, kur qytetarët e Ukrainës fshihen në bunkerë, kur protestuesit rusë heshtin”. Kuratori lituanez Raimundas Malasauskas tha se nuk mund të vazhdonte me projektin për shkak të invazionit  rus të Ukrainës. Ashtu si 27 vende të tjera, Rusia ka pavijonin e saj në Giardini, ekspozita kryesore e Bienales.

​Ata mungojnë këtë vit: jahtet fantastike të oligarkëve rusë

Pavlo Makov në pavijonin e Ukrainës

Për një kohë të gjatë ishte e pasigurt nëse do të hapej pavijoni i Ukrainës. Por kuratorja Kateryna Khueva dhe artisti ukrainas i lindur në Kharkiv, Pavlo Makov, arritën ta transportonin punimin nga Ukraina në Venecia. Makov arriti të mbërrinte në qytetin lagunor së bashku me nënën e tij 92-vjeçare. Khueva e transportoi instalacionin e tij nga Kharkivi në Itali – një udhëtim gjashtë-ditor, përmes Rumanisë. Ekipi ndodhet në Venecia që prej datës 16 prill.

Makov e sheh veten “jo si artist, por si qytetar”, siç tha ai në një intervistë për televizionin zviceran. Ai nuk përfaqëson një vend në luftë, por simbolizon vitalitetin e kulturës së Ukrainës. Sipas Makovit, instalimi i tij është një shenjë e rraskapitjes së shoqërisë.

Një italiane kuratore e ekspozitës kryesore në Bienale

Një tjetër risi: Cecilia Alemani është kuratorja e parë italiane që kuron ekspozitën kryesore në Bienalen e Artit. Ekspertja e artit, e cila jeton në Nju Jork, kishte patur më shumë kohë për ekspozitën, që u shty vitin e kaluar për shkak të virusit korona. Pse ka kaq pak ukrainas apo rusë në listën e artistëve të zgjedhur prej saj? Është shumë e thjeshtë: sepse është e pamundur të marrësh parasysh çdo komb, qoftë edhe në një ekspozitë kaq të madhe sa Bienalja, thotë ajo.  Alemani ka përzgjedhur vetëm tre pozicione historike të Ukrainës dhe gjithashtu artisten bashkëkohore ruse Zhenya Mahneva. “Fatmirësisht, – thotë Alemani, – askush nuk mendoi ta përjashtonte Mahnevën sepse është ruse!

Pavijoni i Rusisë në Bienalen e Artit të Venecias – Mbetet i mbyllur për shkak të luftës në Ukrainë: pavijoni rus në Bienalen e Artit të Venecias

Bienalja e 59-të e Artit dominohet nga gratë

Diçka e rrallë është që Bienalja e 59-të, e cila çelet këtë të shtunë, më 23 prill, përkon sërish me documenta-n, që mbahet çdo pesë vjet në Kassel. Në qytetin lagunor, arti shtrihet në 79 pavijone vendesh, në pavijonin qendror në Giardini dhe, natyrisht, mbi muret historike të Arsenales, ku dikur pluskonin anijet me vela të flotës së fuqishme venedikase. Publiku i artit pamor do të shohë këtë vit fuqinë e performancës femërore. Për herë të parë në historinë 127-vjeçare të Bienales, shumica e artisteve janë gra.

Motoja e Bienales së këtij viti është “Qumështi i ëndrrave”. Titulli është huazuar nga një libër për qeniet fantastike të surrealistes angleze, Leonora Carrington (1917-2011). Piktorja, skulptorja dhe shkrimtarja emigroi nga Evropa në Meksikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Poezia, teknologjia, ekologjia dhe feminizmi janë, siç paralajmëroi Alemani, “temat kryesore” të ekspozitës qendrore. Përveç kësaj, kuratorja, e cila ka një diplomë në filozofi, po shfaq vepra të 213 artistëve nga 58 vende. Më shumë se dy të tretat e artistëve marrin pjesë për herë të parë në Venecia.

Listat e emrave përmbajnë artiste të njohura, si Nan Goldin, Rosemarie Trockel dhe Barbara Kruger, si dhe skulptoren e re dhe artisten multimediale Monira Al Qadiri, një kuvajtiane e lindur në Senegal, e shkolluar në Japoni dhe që tani jeton në Berlin. Edhe Sandra Mujinga prezanton punën e saj në Venecia. Kongolezja e përball vizitorin me një gjuhë vizuale shumë femërore, amorfe, e cila përshtatet mirë me mjedisin artistik të Bienales. Vetëm në shtator ajo mori çmimin e Nationalgalerie Berlin.

Luani i Artë për gjermanen Katharina Fritsch

Në pavijonin gjerman, të kuruar nga drejtori i muzeut të Këlnit, Yilmaz Dziewior, është ftuar të performojë koncept-artistja nga Berlini, Maria Eichhorn. Arti i saj konsiderohet disi i rëndë, ndoshta për shkak të dembelizmit të publikut për të menduar. Sepse sipas Eichhorn-it, të lindur në vitin 1962, një vepër përbëhet nga një ide, hulumtim dhe vizualizim: çdo vepër arti përmban kërkesën “Mendo njëherë!”.

Temat e saj: tregu i artit në epokën naziste dhe shpronësimi i koleksionistëve hebrenj. Në përgjithësi, çështja e pronësisë e përshkon si një fije e kuqe punën artistike të Eichhorn-it, ashtu si konceptet e punës, vlerës dhe kohës. Edhe këtu, Bienalja mund të krijojë një lidhje me luftën në Ukrainë, ku ushtarët rusë po rrëmbejnë thesaret kulturore të Ukrainës. Me interes pritet të jetë vepra e Eichhornit në Pavijonin Gjerman, një ndërtesë përfaqësuese e kohës së nazizmit.

Artistja gjermane Katharina Fritsch dhe artistja kiliane Cecilia Vicuña nderohen me Luanin e Artë për veprën e tyre të jetës. “Kontributi i Fritsch në artin bashkëkohor, veçanërisht në skulpturë, është i pakrahasueshëm”, tha drejtori i Bienales Alemani, i cili do ta dorëzojë çmimin në ditën e hapjes. Ndër të tjera, Fritsch është bërë e njohur me “Rat King” (1993), një skulpturë gjigante me gjashtëmbëdhjetë minj të zinj, bishtat e të cilëve takohen në një nyjë. Bienalja e 59-të e Artit në Venecia do të jetë e hapur nga 23 prilli deri më 27 nëntor 2022./DW /KultPlus.com

Artistja Maria Eichhorn prezantohet sivjet në Pavijonin e Gjermanisë.

Të ngjajshme