BKK-ja nis shpërndarjen e librave për bibliotekat publike dhe shkollore

25 Korrik, 2025 - 3:58 pm

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një iniciativë të re për të mbështetur rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore në të gjithë vendin. Shpërndarja e librave ka filluar me kontigjentin e ri që përfshin 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë, të cilët janë përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Këto libra janë kryesisht literaturë e rekomanduar për nxënësit e nivelit parauniversitar dhe kanë për qëllim pasurimin e koleksioneve të bibliotekave lokale dhe shkollore. Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore:

Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Bibliotekat e Suharekës dhe Rahovecit kanë qenë të parat që kanë pranuar këtë kontigjent, ndërsa shpërndarja do të vazhdojë në javët në vijim në të gjitha komunat e tjera të Kosovës. Librat do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke kontribuar në përmirësimin dhe pasurimin e koleksioneve ekzistuese, transmeton KultPlus.

Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar akses të barabartë në literaturë dhe për të mbështetur zhvillimin e edukimit dhe kulturës në gjithë territorin e Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme