Blogeri suedez: Ja 15-të pjatat më të mira shqiptare

7 Janar, 2021 - 10:27 am

Një prej portaleve më të njohur të turizmit global, “Swedish Nomad”, poston rregullisht listat e tij mbi vende të ndryshëm, lista të cilat mbahen si disa nga më të saktat dhe të besueshmet në treg, transmeton KultPlus.

Pasi “Swedish Nomad” kryen vizitën e tij në vendin e rradhës, ai rendit pikërisht ato gjëra që i kanë lënë vërtet mbresa nga vizita. Më herët gjatë 2020 kjo faqe ka veçuar 15 plazhet më të mirë në Shqipëri, ndërsa tani sjell listën e 15 gatimeve tradicionale shqiptare që duhen provuar nga gjithkush. Ndonëse shumë prej nesh i njohim këto pjata, mbetet gjithmonë interesante të shohësh se cilat janë ato gatime të cilat vlerësohen nga vizitorët ndërkombëtarë.

Pa dyshim, lista nis me tavën e kosit, specialiteti nga Elbasani i cili i bën të gjithë për vete! Mbetet një pjatë po aq e veçanë sa edhe universale, e cila në përbërjen e saj kombinon shije po aq të papritura sa edhe të këndshme. Fërgesa tradicionale me mish mbetet një pjatë e preferuar e turistëve e po ashtu edhe e “Swedish Nomad”, i cili e rendit të dytën në listën e tij.

Disa nga specialitetet e tjera të përmendura nga blogeri janë specat me gjizë, qoftet, qifqitë, flija dhe petullat, si edhe mishi dhe perimet e skarës, pikërisht ashtu si përgatiten në restorantet shqiptare.

Nuk mund të mungojnë edhe shumë të tjera si byreku, të cilin blogeri e preferon me djath apo me spinaq, rakija, dhe ëmbëlsirat shqiptare si bakllavaja, shëndetlija dhe kabunija.

Ajo e cila na habit gjithnjë është dashuria e turistëve për fasulet, pasi kjo pjatë shërbehet shpesh në tryezat shqiptare, aq shpesh sa edhe mund të harrojmë vlerat e shijen e saj! Megjithatë, vlen të na kujtojë “Swedish Nomad” se vërtet kuzhina shqiptare, e restorantit dhe e tryezës së shtëpisë, mbetet një nga më të mirat në botë! / KultPlus.com

Të ngjajshme