Botohet në frëngjisht dokuromani i Ag Apollonit ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’

1 Maj, 2025 - 7:38 pm

Dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, përkthyer nga përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, Sébastien Gricourt, botohet në frëngjisht nga shtëpia botuese Fauves, e cila në kopertinën e pasme të librit ka vendosur këtë fragment nga libri: “Goja hapet, rrëfimi fillon.

Është rrëfim me lot e luftë. Dora mbi tastierë troket. Dëgjohen rafalët nëpër qytet. Ato jetë që u shuan dikur, ngjallen prapë tani. Këtu në bardhësinë e faqes në ekran, një bardhësi parajse. Rrëfimet bëhen me radhë. Në të njëjtën karrige ulen nënat, etërit, motrat, vëllezërit, bijtë e bijat, radhazi dhe flasin, heshtin, qajnë, dëshmojnë. Rrëfimet e tyre shpesh ndërpriten nga lotët që shfaqen si trepikësh në fjalinë e lënë përgjysmë.”

Gjithashtu, në pjesën e pasme të librit shkruan se “duke reflektuar mbi tragjedinë e bijve, vëllezërve dhe burrave të rrëmbyer, të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës, Ag Apolloni eksploron kuptimin e amësisë në një histori që i bën jehonë me delikatesë pikëllimit të dy nënave me mitin grek të Niobes.
Profesori letërsisë në Universitetin e Prishtinës (Kosovë), Ag Apolloni përkthehet në frëngjisht për herë të parë.”

Frëngjishtja është gjuha e gjashtë në të cilën përkthehet ky roman, i cili deri tash është përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, holandeze, rumune dhe malazeze, ndërsa është në proces botimi edhe në disa gjuhë të tjera. Ky roman është vlerësuar lart nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj.
Libri në frëngjisht do të promovohet këtë muaj në kuadër të festivalit të letërsisë “Nuit de la Littérature”, në Paris./KultPlus.com

Të ngjajshme