Brenda dy javësh rezultatet e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë

11 Qershor, 2020 - 9:00 pm

Brenda dy javësh Këshilli Shtetëror i Cilësisë pritet të marrë vendime për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë. Fillimisht do të bëhet akreditimi institucional e më pas do të vazhdohet me procesin e akreditimit të programeve studimore.

Për akreditim institucional kanë aplikuar 14 institucione të arsimit të lartë të cilave u ka skaduar akreditimi, prej tyre 5 universitete publike dhe 9 kolegje private.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, ka thënë se procesi i vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë i nisur më 1 prill tashmë ka përfunduar dhe janë në pritje të raporteve të ekspertëve, raporton KOHA.

Vendimi për akreditim ose jo, sipas tij, është në duar të ekspertëve dhe konform vlerësimeve të tyre Këshilli Shtetëror i Cilësisë do t’i marrë vendimet.

Edhe pse procesi i vlerësimit është realizuar në distancë, sipas tij, gjithçka është realizuar në bazë të standardeve që i aplikojnë Agjencia dhe ENQA, dhe nuk ka pasur ndonjë ankesë nga institucionet e arsimit të lartë.

Në pritje të akreditimit institucional janë: Universiteti i Prishtinës, ai i Prizrenit, Pejës, Mitrovicës e Ferizajt.

Ndërkaq nga kolegjet private janë: Kolegji “Fama”, UBT, “Universi”, “Iliria”, “Arbëri”, “Pjetër Budi”, “Biznesi”, “Dukagjini” dhe “Tempulli”.

Të ngjajshme