Britania e Madhe do të organizojë samitin e parë global për sigurinë e Inteligjencës Artificiale

9 Qershor, 2023 - 7:50 pm

Britania e Madhe njoftoi se këtë vit do të organizojë samitin e parë të madh global në çështjen e sigurisë së inteligjencës artificiale.

Sipas një deklarate nga zyra kryeministrore “Number 10” thuhet se në samitin që do të mbahet në muajt e vjeshtës nën organizimin e Britanisë, do të diskutohen rreziqet e inteligjencës artificiale dhe mënyrat për t’i ulur këto me rrugën e veprimit të koordinuar ndërkombëtar.

Samiti do të sigurojë platformë për vendet që të punojnë së bashku me qëllimin për të zhvilluar qasje të përbashkët për të pakësuar këto rreziqe. Samiti do të bashkojë hulumtuesit dhe kompanitë kryesore të teknologjisë si dhe vendet kyçe për të miratuar masat e sigurisë me qëllimin për të vlerësuar dhe monitoruar rreziqet e rëndësishme që burojnë nga inteligjenca artificiale.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri britanik Rishi Sunak që ndodhet për vizitë në SHBA, do të zhvillojnë sot në Shtëpinë e Bardhë një bisedë në të cilën krahas marrëdhënieve mes dy vendeve do të diskutojnë edhe për çështjet e teknologjisë.

“Inteligjencën artificiale duhet ta përdorim për të mirën e njerëzimit”

Në deklaratë potencohen vlerësimet e kryeministrit britanik, Sunak i cili tha se: “Inteligjenca artificiale ka potencial të pabesueshëm për t’i bërë jetët tona më të mira, por duhet të jemi të sigurt që kjo të zhvillohet dhe të përdoret në mënyrë të besueshme dhe të sigurt.

“Gjatë historisë kemi shpikur teknologji të reja që kanë ndryshuar paradigmë shumë herë dhe këto i kemi përdorur për të mirën e njerëzimit. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë përsëri. Asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë e vetme. Kjo do të kërkojë përpjekje globale, por me përvojën tonë të gjerë dhe angazhim tonë ndaj sistemit ndërkombëtar të hapur, demokratik, Britania do të udhëheqë në këtë rrugë me aleatët e saj”, tha Sunak. / KultPlus.com

Të ngjajshme