14 Korrik, 2025 - 4:13 pm
Tre shekuj pas shfaqjes së tyre të parë, klubet tradicionale elitare për burra në Londër, që vazhdojnë të frekuentohen nga anëtarë të familjes mbretërore dhe figura të fuqishme politike apo ekonomike, jo vetëm që kanë mbijetuar, por edhe janë përshtatur me kohën.
Ndërsa debatet vazhdojnë për lejimin e grave në klubin e famshëm “The Garrick”, një libër i ri hedh dritë mbi këtë fenomen unikisht britanik dhe historinë e tij të gjatë.
Për më shumë se 300 vjet, Londra ka qenë epiqendra botërore e klubeve private për anëtarë të përzgjedhur. Askund tjetër në botë nuk kanë ekzistuar kaq shumë hapësira të mbyllura e ekskluzive, që shpesh funksionojnë larg syve të publikut. Sot, me 133 klube në funksion, kryeqyteti britanik lë pas me shumë diferencë edhe rivalin më të afërt, New York-un, ku ndodhen vetëm 53 klube të tilla.
Shumë prej klubeve historike vetëm për burra në Londër kanë ecur me kohën dhe tashmë pranojnë edhe gra si anëtare.Por ndoshta më i njohuri në botën tradicionale të “klubeve të zotërinjve”, The Garrick Club, i themeluar në vitin 1831, u bë pjesë e lajmeve vitin e kaluar kur vendosi më në fund të heqë rregullin që lejonte vetëm burra.
Megjithatë, që atëherë vetëm një numër shumë i vogël grash është pranuar si anëtare, dhe muajin e kaluar, gazetarja e njohur britanike Julie Etchingham tërhoqi kandidaturën e saj. Sipas raportimeve, disa kandidate potenciale ndihen të pazgjedhura përballë një procesi të gjatë verifikimi dhe një klime të ftohtë e mospranuese nga shumë prej anëtarëve ekzistues.
Ndërkohë, klubi Savile votoi më herët këtë vit për të vazhduar përjashtimin e grave, duke treguar se qëndrimet konservatore ende qëndrojnë të ngulitura thellë në disa prej këtyre institucioneve.
Një libër i ri me titull “Londra e Klubeve: Një Udhërrëfyes për Kuriozët”, nga Dr. Seth Alexander Thévoz, ofron një vështrim të detajuar klub pas klubi mbi këtë botë të mbyllur e plot tradita. Libri shpalos veçoritë e secilit klub, rregullat, zakonet, historitë e pazakonta, madje edhe ndonjë recetë nga kuzhina e tyre.
Sipas autorit, klubet kanë qenë të detyruara të ndryshojnë për të mbijetuar, dhe ata që vazhdojnë të funksionojnë sot, zakonisht i shërbejnë një grupi të veçantë dhe të përzgjedhur anëtarësh.
Dr. Thévoz beson se, ndonëse koncepti i klubeve është i rrënjosur në psikologjinë njerëzore anembanë botës, në Britaninë e Madhe ai ka një jehonë të veçantë kulturore. Në një intervistë ai shprehet:
“Britanikët gjithmonë e kanë pëlqyer sigurinë dhe përkatësinë që sjell anëtarësia në një klub. Ata janë thellësisht të lidhur me kulturën e shoqërimeve vullnetare, që nga fëmijët që i bashkohen skautëve apo guidave, e deri te të rriturit që angazhohen në shoqëri amatore teatrale.”/ KultPlus.com