Bujar Gjoka: Gjuha është shpirti i kombit, shqipja rrezikohet nga agresioni i gjuhëve të tjera

1 Shkurt, 2024 - 11:20 am

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur vitin 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe”, një arsye më shumë për të shtuar vëmendjen ndaj mbrojtjes së gjuhës shqipe.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka foli për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës.

“Çdo ditë është dita e Gjuhës Shqipe. Mendoj që gjuha është shtëpia e qenies dhe gjuha kombëtare është shpirti i kombit,” u shpreh Gjoka.

Lidhur me fenomenin e tjetërsimit të gjuhës nga të rinjtë, kryesisht në rrjete sociale, Gjoka tha se sipas tij jemi përballë një realiteti që rrezikohemi nga shkujdesja, por edhe nga agresioni i gjuhëve të tjera.

Ndaj për studiuesin është detyrë e çdo qytetari, por edhe politikës arsimore që të punohet për gjuhën shqipe.

“Para disa vitesh u fol për redaktorë, por që nuk u realizua. Tani shpallet viti i gjuhës shqipe. Unë mendoj se çdo ditë është Dita e Gjuhës, pasi në momentin që një shkresë fiton një dimension zyrtar duhet që të verifikohet si është shkruar. Ndërsa në rrjete sociale kemi një ligjërim më të shkujdesur, ku shkronja ë dhe ç janë thuajse të fshira, ose ai ligjërim bisedor ‘klm, flm’ e të tjera, mendoj se është një komunikim si e folur mbrapsht dikur. Tani është futur ligjërimi shkurtimor – me njëri-tjetrin ata kuptohen, por ka një pjesë që mbetet pas.

Jemi përballë një realiteti që rrezikohemi nga shkujdesja, por edhe nga agresioni i gjuhëve të tjera. Është detyrë e çdo qytetari, por edhe politikës arsimore, kulturore, akademisë, shkrimtarëve, pra është një problem mjaft i gjerë dhe çfarëdo të thuhet mbetet e paverifikuar,” u shpreh shkrimtari.

Për Vitin e Gjuhës Shqipe, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, ku do të përfshihen të gjitha shkollat e vend dhe të diasporës. /rtsh.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme