28 Qershor, 2025 - 10:34 pm
Bumerangu më i vjetër në botë është më i vjetër nga sa mendohej më parë, duke hedhur dritë të re mbi zgjuarsinë e njerëzve në atë kohë, shkruan BBC.
Vegla, e gjetur në një shpellë në Poloni në vitin 1985, tani vlerësohet të jetë 40 000-vjeçare.
Arkeologët thonë se bumerangu është punuar nga një dhëmbë mamuthi me një nivel të mahnitshëm aftësish.
Nga forma e saj, studiuesit arritën në përfundimin se objekti do të kishte fluturuar pasi të hidhej, por nuk do të ishte kthyer te ai që e kishte hedhur.
Me shumë mundësi është përdorur për gjueti, megjithëse mund të ketë pasur vlerë edhe kulturore apo artistike.
Bumerangu i fildishtë i mamuthit u gjet në shpellën e Oblazowas në Poloninë jugore.
Fillimisht mendohej të ishte rreth 30 000-vjeçar.
Por, datimi i ri dhe më i besueshëm me radiokarbon i kockave njerëzore dhe shtazore të gjetura në vend e vendos atë midis 39 000 dhe 42 000-vjeçare.
“Është bumerangu më i vjetër në botë dhe i vetmi i kësaj forme dhe gjatësie i gjetur në Poloni”, theksoi Dr. Sahra Talamo e Universitetit të Bolonjës në Itali.
Ofron “një pasqyrë të jashtëzakonshme” mbi sjelljen njerëzore, tha ajo, veçanërisht se si Homo sapiens, i cili jetoi deri në 42 000 vjet më parë, mundi të krijonte “një objekt kaq të përsosur” me dijeninë se mund të përdorej për të gjuajtur kafshë.
Bumerangu është ruajtur jashtëzakonisht mirë, me shenja prerjeje që sugjerojnë se ishte lëmuar dhe gdhendur për t’u përdorur nga një individ me dorën e djathtë.
Bumerangu në përgjithësi shoqërohet me kulturën aborigjene australiane.
Megjithatë, gjetjet e rralla në të dhënat historike jashtë Australisë sugjerojnë se ato janë përdorur në kontinente të shumta.
Bumerangu më i vjetër i njohur në Australi daton rreth 10 500 vjet më parë dhe ishte bërë prej druri.
”Megjithatë, imazhet më të vjetra të bumerangut në Australi janë piktura shpellash që datojnë 20 000 vjet më parë”, sipas Muzeut Kombëtar të Australisë.
Një bumerang druri 7 000-vjeçar u gjet në Jutland, një gadishull midis Danimarkës dhe Gjermanisë, ndërsa fragmente të një bumerang lisi 2 000-vjeçar u gjetën në Holandë./ atsh/ KultPlus.com