4 Qershor, 2025 - 2:59 pm
Parku Kombëtar i Butrintit publikoi statistikat e vizitueshmërisë sa i përket muajit maj i cili rezulton të ketë pasur 67% më shumë vizitorë se maji i vitit 2024.
Shtimi i numrit të vizitorëve është reflektuar edhe tek të ardhurat të cilat janë rritur me 190% krahasuar me majin e një viti më parë.
Numri i vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit ka ardhur gjithnjë e në rritje, duke dëshmuar edhe një herë vlerat e rralla kulturore dhe natyrore që ky vend i Trashëgimisë Botërore te UNESCO-s mbart.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon në fushëgropën e Delvinës, ku historia dhe natyra gërshetohen në një harmoni të papërsëritshme.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. / atsh/ KultPlus.com