22 Korrik, 2025 - 9:28 am
Gazetari me origjinë nga Lecce dhe me një kontribut të jashtëzakonshëm në mediat shqiptare, Carlo Bollino, është vlerësuar në Itali me Çmimin Kombëtar të Gazetarisë “Antonio Maglio” për Karrierën, në edicionin e XIV të këtij çmimi prestigjioz.
Ceremonia u zhvillua në Alezio, nën organizimin e Shoqatës “Maglio” dhe Bashkisë së qytetit, me mbështetjen e Urdhrit të Gazetarëve dhe Federatës Kombëtare të Shtypit. Çmimi i karrierës për Bollinon u dha për kontributin e tij të gjatë dhe të angazhuar në gazetari, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, shkruan KultPlus
Bollino e nisi karrierën në vitet ’80, duke u specializuar në kronikën e zezë dhe krimin e organizuar. Në vitin 1988 botoi librin investigativ “La posta in gioco”, i cili u përshtat edhe në film. Në vitin 1992 u vendos në Tiranë, ku themeloi disa prej mediave më të rëndësishme në vend, si Gazeta Shqiptare, News24, Balkanweb dhe Report TV, si dhe muzeumet Bunk’Art 1 dhe 2, të njohura ndërkombëtarisht.
Në Shqipëri, Bollino është nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Bamir Topi për kontributin në zhvillimin e mediave dhe të demokracisë.
Përveç Bollinos, u shpërblyen edhe gazetarë të tjerë italianë për punimet më të mira investiguese të vitit, ndërsa të gjithë fituesve iu dorëzua një stilolaps simbolik i punuar nga artizani i njohur Gerardo Sacco, si simbol i gazetarisë së lirë dhe etike./KultPlus.com