Çeku: Cima, model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë

26 Mars, 2021 - 3:14 pm

Me rastin e vdekjes së artistit Rasim Thaçi – Cima, ngushëllimet e tij i ka shprehur edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.

Në telegramin e tij, Ceku shprehet se ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë. 

Tutje, Ceku vlerëson artin e Cimës duke e quajtur shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë.

Ky është telegrami i plotë i Çekut:

E nderuar familja Thaçi,

 Me pikëllim dhe i mërzitur mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, artistit tonë të madh Rasim Thaçi – Cima. 

Ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë ne. 

 Kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha. Me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën tonë.

 Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona.

 Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë. 

 Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij.

 Lamtumirë! I lehtë i qoftë dheu!

Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve e të gjithë dashamirëve të Rasim Thaçit.

Humoristi Rasim Thaçi, i cili për publikun njihet si Cima, ka vdekur sot si pasojë e COVID-19, me ikjen e tij ka pikëlluar të gjithë ata që jetuan me vite të tëra duke parë karakteret e ndryshme që me një mjeshtëri të rrallë Cima diti të ja servojë publikut./ KultPlus.com

Të ngjajshme