Çeku: Jam shumë i gëzuar që këtë 28 nëntor po e shënojmë me një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë si kurrë më herët

28 Nëntor, 2021 - 8:45 pm

“Jam shumë i gëzuar që këtë 28 Nëntor po e shënojmë me një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë si kurrë më herët”, nis njoftimin Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Jemi kthyer nga Shqipëria me nënshkrimin e disa dokumenteve shumë të rëndësishme, përfshi kalendarin e përbashkët kulturor dhe marrëveshjen për trashëgimi kulturore.

Gjithashtu, në fushën e bashkëpunimit kulturor kemi nënshkruar pesë marrëveshje mes institucioneve tona artistike, bibliotekave, muzeve, parqeve arkeologjike, arkivave shtetërore.

Me rëndësi të veçantë është edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës të Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës të Kosovës.

Kjo marrëveshje do të krijojë bazë të fortë për bashkëpunim artistik e shkëmbim kulturor, dhe në veçanti do të nxisë konsolidimin e institucionit më të ri, të themeluar këtë vit, atë të Operës së Kosovës.

Besoj shumë që përmes bashkëpunimit kulturor të ndërsjellë, do të tejkalohen edhe kufizimet administrative dhe burokratike. Do të punojmë që vlerat tona kombëtare t’i promovojmë dhe t’i ruajmë gjithmonë me krenari.

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, pavarësinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme