Shkencëtarët krijojnë embrione njerëzish në laborator

15 Qershor, 2023 - 12:14 pm

Shkencëtarët kanë arritur që të krijojnë embrione sintetike njerëzish duke përdorur qeliza staminale.

Kjo lloj metode është cilësuar si një arritje revolucionare që “anashkalon nevojën për materialet gjenetike të femrave dhe meshkujve për të bërë ngjizjen.

Shkencëtarët pohojnë se këto embrione model, të cilat ngjajnë me ato në fazat e hershme të zhvillimit njerëzor, mund të japin informacion vendimtar për efektet e çrregullimeve gjenetike dhe shkaqet biologjike të abortit të përsëritur.

Megjithatë, kjo është një arritje shkencore që ngre çështje serioze etike dhe ligjore, pasi subjektet e rritura në laboratorë nuk janë në një vijë me legjislacionin aktual në Mbretërinë e Bashkuar dhe as legjislacionin e shumicës së vendeve të botës, raporton “The Guardian”.

Embrionet sintetike nuk kanë zemër funksionale as ndonjë formë të hershme të trurit, por përfshijnë qeliza që në një fazë të mëvonshme zakonisht do të formonin placentën, qesen e verdhë të vezës dhe vetë embrionin.

“Ne mund të krijojmë shabllone që duken si embrion njerëzor duke riprogramuar qelizat burimore [embrionale]”, shpjegoi profesoresha Magdalena Żernicka-Goetz e Universitetit të Kembrixhit dhe Institutit të Teknologjisë në Kaliforni.

Nuk ka asnjë perspektivë të përdorimit klinik të embrioneve sintetike në të ardhmen e afërt: implantimi i tyre në mitrën e një pacienti do të konsiderohej i paligjshëm dhe nuk është ende e qartë nëse këto “struktura” kanë madje potencialin për të vazhduar maturimin përtej fazave të hershme të zhvillimit.

Motivimi për studiuesit, siç shpjegon punimi, është të kuptojnë periudhën e zhvillimit të embrioneve të quajtur “kutia e zezë “.

Ky cilësim është zgjedhur duke qenë se shkencëtarët lejohen të rritin embrionet në laborator vetëm deri në kufirin ligjor prej 14-ditësh, studimi i zhvillimit mund të vazhdojë vetëm në një fazë shumë më të vonë, përmes ultratingujve dhe dhurimeve të embrioneve për shkencën. / a2cnn / KultPlus.com

Të ngjajshme