Çeku priti në takim zyrtar Kiana Kryeziun, nënshkruajnë memorandum me Federatën Skitare të Kosovës

19 Janar, 2022 - 9:19 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim zyrtar sportisten, Kiana Kryeziu, e cila së fundmi arriti të sigurojë kualifikimin në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Çeku njoftoi se diskutuan për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve të Kosovës, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit.

Postimi i tij i plotë:

“Kiana Kryeziu është 17 vjeçare. Ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar si vajza e parë që do të përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore. Sot prita në takim skitaren Kiana Kryeziu, sportisten që ka fituar normën olimpike për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, kryetarin e Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në takim diskutuam për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve tanë, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit. Së bashku me Kianën vendin tonë në Olimpiadën dimërore Pekini 2022 do ta përfaqësojë edhe skitari Albin Tahiri. Me qëllim të përgatitjes së sportistëve për këto gara olimpike nënshkruam memorandum me Federatën Skitare të Kosovës për mbështetje financiare të sportistëve tanë”. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme