Çeku shpalos programin e MKRS-së: Mënyra e financimit të kulturës do të ndjek një logjikë tjetër

18 Maj, 2021 - 4:01 pm

Sot ministri Hajrulla Çeku në një konferencë për media ka shpalosur programin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku ai është shprehur se mënyra e financimit të kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore do ta marr një kahje tjetër logjike, shkruan KultPlus.

“Nuk është krijuar një efekt i shtuar nga financimi që është bërë sepse mënyra e financimit së kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore duhet ta ndjek një logjikë tjetër. Kjo logjikë është ajo e kthimit ekonomik, shoqëror, shëndetësor sepse rinia, sportistët e artistët, janë potenciale të jashtëzakonshme zhvillimore të këtij vendi”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, në politikat  e kaluara logjika e subvencionimit vetëm është mirëmbajtur dhe nuk është zhvilluar potenciali i të rinjve tanë. Prandaj, ata tani tentojnë të formojnë një dallim duke nisur qysh nga logjika e skemave sociale e deri tek qasja e zhvillimit përmes MKRS-së.

“Përmbajtja e programit është një përmbledhje e instrumentit tonë të zbatimit të programit ku me të gjithë stafin kemi punuar me shumë detaje sepse teksti narrativ i këtij programit është rezultat i asaj pune dhe është një matricë shumë e madhe me dhjetëra objektiva e masa, me qindra aktivitete e indikatorë, me dimensione të kohës dhe buxhetit”, thotë Çeku.

Krejt në fund, ai ka bërë të ditur se MKRS-ja tani ka mjaft punë që po i presin ata për 4 vjet e kjo punë është pjesë e punës së tyre të përditshme sepse programi është një hartë shumë e madhe e përmbledhjeve së objektivave dhe orientimeve të përgjithshme që priten të realizohen. / KultPlus.com

Të ngjajshme