ChwB Kosova organizon ligjeratën “Diktatura, qyteti, arkivi: një udhërrëfyes“

2 Maj, 2025 - 2:34 pm

Të mërkurën Heritage Space (CHwB Kosova), Fondacionet për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, kanë mirëpritur Elidor Mëhillin me ligjeratën publike “Diktatura,qyteti, arkivi: një udhërrëfyes”, moderuar nga Mrika Limani-Myrtaj.

Ngjarja u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të mërkuren, më datën 30 prill, në ora 19:00.

Autori dhe historiani Elidor Mëhilli (City University of New York/Columbia University) foli për historinë e vonë të Shqipërisë si një itinerar i vendeve të kujtesës dhe të harresës. Duke u mbështetur në mbi pesëmbëdhjetë vjet hulumtime arkivore, kumtesa erdhi në formën e një udhërrëfyesi vizual, i ilustruar me fotografi personale të shkrepura gjatë viteve dhe të ekspozuara së fundmi në Institutin Harriman të Columbia University në New York. Rrëfimi u ndal në pesë stacione: godina-burg e Arkivit të Shtetit në Tiranë si problem i kujtesës; varret e përdhosura të shenjtëve gjatë fushatës antifetare të vitit 1967; Pallati i Kulturës si depo librash të ndaluar në 1975; Vila Nr. 31 e diktatorit si vend i letrarizimit historik dhe përpunimit të një kulti patriarkal në vitin 1980; dhe, së fundmi, një fotografi anonime e një piedestali të zbrazët në vitin 1993. Kundër tendencës për të ekzotizuar historinë e Shqipërisë për një audiencë perëndimore, leksioni është ftesë e hapur për të diskutuar qasjet tona ndaj së kaluarës pas dhunës.

Autor i nderuar me çmime, Elidor Mëhilli është profesor i asociuar i historisë, politikave publike dhe të drejtave të njeriut në City University of New York dhe profesor i ftuar në Columbia University. Doktoraturën e ka mbaruar në Princeton University dhe ka qenë studiues i ftuar në Columbia University, The University of Pennsylvania, The Zentrum für Zeithistorische Forschung në Potsdam, Gjermani, Birkbeck College në Londër, Mbretëri të Bashkuar, dhe në Hoover Institution në Stanford University. Puna e Elidorit fokusohet në diktaturat, regjimet autoritare dhe dimensionet diplomatike, ekonomike, politike dhe kulturore të Luftës së Ftohtë. Libri i tij, Nga Stalini te Mao: Shqipëria dhe bota socialiste ka fituar tre çmime.

Mrika Limani Myrtaj është Bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë. Interesimet e saja kërkimore përfshijnë dhunën masive, lëvizjet sociale radikale dhe proceset emancipatore gjatë shekullit të 20-të. Ajo është autore e disa artikujve shkencorë dhe dy monografive me titujt Perspectives on Ideology and Violence during the Second World War in Kosova [Perspektiva mbi ideologjinë dhe dhunën gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë] (2021) dhe Përkohësia e lëvizjeve kundërshtuese në Kosovë 1941-1999 (2024).

Ky projekt është pjesë e platformës #HeritageSpace, e implementuar nga CHwB Kosova dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Fotot: Majlinda Hoxha./ KultPlus.com

Të ngjajshme