Cima, ikona e humorit shqiptar përmes fotografive që na kthejnë në kohë

26 Mars, 2021 - 2:48 pm

Humori i tij shpesh ishte dritë në errësirat në të cilat ndodhej Kosova, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës dhe njëkohësisht shpresë për ditë më të mira, shkruan KultPlus.

Humoristi Rasim Thaçi, i cili për publikun njihet si Cima, ka vdekur sot si pasojë e COVID-19, me ikjen e tij ka pikëlluar të gjithë ata që jetuan me vite të tëra duke parë karakteret e ndryshme që me një mjeshtëri të rrallë Cima diti të ja servojë publikut.

Ikona e humorit kosovar, aktori dhe njëherit njeriu i cili vlerësohet për mirësinë e tij e buzëqeshjen që ju faltë të gjithëve, sot iku por me rolet e tij të shumta komike do të mbetet përherë në mendjen dhe zemrat e njerëzve që aq shumë e deshën.

Rasim Thaçi lindi më 2 korrik 1949, Vukoc, Kosovë dhe përveç tjerash njihej edhe për mimikën e tij speciale që e karakterizonte.

Ndër skeçet e shumta humoristike ku Cima mori pjesë, kujtojmë sot: Treshi Përsheshi – (1986-1990), Cimë Baushtella – (2006), Nusja nga Diaspora – (2007), Lajmi në Gurbet – (2008), Cimë kulleri te Lec katunari – (2008), Leci te mulla Cima – (2008), Cima Taxi 1 – (2009), Cimë Baksuzi – (2009), Cima në Cia – (2009), Cimë Polici – (2010), Cima te baba sheh – (2010), Rrota e Cimes – (2011), Haxhi Cima në diskotekë – (2011), Rrasja Vllaut n’gjermoni – (2013), Dreqi n’Qeveri – (2013), Cima te Tezja – (2013), Hajnat e Vove – (2014), Siguresa e Cimës – (2014), Rruga e Boss Kungjit – (2014), Kartela e bankës – 2016, Bon apeti – 2017, Cima te Gazuzi – 2018 e të tjera.

KultPlus në kujtim të këtij artisti të madh, po ju sjell sot një galeri me fotografi që na kthejnë prapa në kohë dhe na kujtojnë rolet e Cimës ndër vite. / KultPlus.com

Të ngjajshme