19 Maj, 2025 - 5:13 pm
FemArt ka prezantuar imazhin e këtij edicioni i cili do të mbahet më 16-31 qershor.
Në edicionin e 13-të, FemArt prezantohet me moton ‘Çliroje mendjen’ si një thirrje për guxim, përballje, shërim, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni njoftimin e Femart:
Ju prezantojmë imazhin e çlirimit tonë të përbashkët!
FEMART13 nis rrugëtimin e tij me këtë krijim të Tadit—një thirrje për guxim, përballje, shërim.
Më 16-21 Qershor 2025, Prishtina shndërrohet në altar të artit, aktivizmit feminist dhe çlirimit të mendjes.
“ÇLIROJE MENDJEN”
Çlirimi nuk është arratisje. Është guxim! Të çlirosh mendjen është të shohësh qartë. Të zhveshësh frikën. Të dëgjosh veten përtej zhurmës së botës. Është përballje me demonët që kanë zënë qoshet e mendjes dhe shpirtit tonë. Heshtjet rëndojnë më shumë se zinxhirët. Plagët bëhen gurë, e gurët mure. E çlirimi është guximi e forca për të rrënuar këto mure.
Mendja është fushë betejë. Është strehë. Është altar i të vërtetës sonë. Në FEMART ne zgjedhim të mos luftojmë me veten, por ta njohim atë. Ta shërojmë, e ta lëmë të vallëzojë. Kur mendja çlirohet, trupi e ndjek. Jeta merr frymë, e arti bëhet pishtar i çlirimit.
Në këtë edicion të 13-të të FEMART ne nuk qendërzojmë vetëm artin dhe aktivizmin, por edhe shëndetin mendor si akti më i thellë i çlirimit. Kur mendja çlirohet, shpirti gjen paqen dhe jeta rilind.
Ndaj, për gjashtë ditë me radhë, 16-21 qershor, 2025 FEMART bëhet një hapësirë e çlirimit për të krijuar, përkujdesur, dashuruar, e për t’u shëruar me guxim të palëkundur./ KultPlus.com