Çmimi vjetor “Anton Çetta” i ndahet Frrok Kristaj

18 Janar, 2021 - 11:24 am

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimin vjetor “Anton Çetta”, shkruan KultPlus.

Ky çmim është caktuar në fund të vitit të kaluar në fushën e trashëgimisë kulturore nga Qeveria e Kosovës dhe jepet për herë të parë.

Në emër të jurisë profesionale, fjalën e mori Arsim Canolli i cili u shpreh se ky çmim që mban emrin e Anton Çettës, profesorit të palodhshëm që mblodhi e studio vlerat e trashëgimisë̈ kulturore e shpirtërore dhe folklorit të shqiptarëve dhe kryepajtimtarit të Kosovës në kohën kur kishte më së shumti nevojë për pajtim, po ndahet për herë të parë.

Në përputhje me vendimin e rregullores përkatëse dhe kriteret e konkursit për çmimin vjetor Anton Çetta që jepet në shenjë vlerësimi e nderimi për personalitete të shquara në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, juria kishte vendosur që çmimi t’i ndahet Frrok Kristaj për punën e tij mbi gjysmë shekulli në avancimin e trashëgimisë kulturore e shpirtërore dhe ndikimin e tij në mbledhje, dokumentimin, ruajtjen dhe promovimi e trashëgimisë.

Çmimi ju dorëzua Frrok Kristajt nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti. Ndërkaq, pasi pranoi çmimin, Kristaj falenderoi Hotin dhe Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit e posaqërisht edhe familjen Çetta. / KultPlus.com

Të ngjajshme