9 Korrik, 2025 - 6:53 pm
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) kremtoi 10-vjetorin e krijimit.
“Në këtë përvjetor të veçantë, u rikthyem te rrënjët për të reflektuar mbi një dekadë pune, krijimtarie dhe bashkëpunimi”, shkroi drejtoresha e COD-it, Jetona Koçibelli, në profilin online të kësaj qendre.
COD-i lindi 10 vjet më parë, në 8 korrik 2015, si një nismë vizionare për të hapur godinën e Këshillit të Ministrave për publikun.
Prej vitit 2015, COD është kthyer në një model të veçantë të ndërthurjes së politikës me artin, kulturën dhe dialogun, duke mirëpritur mijëra vizitorë, figura publike, artistë e krijues nga mbarë bota. Gjatë kësaj dekade, COD ka qenë një tribunë e hapur për ide të reja, ekspozita, diskutime publike dhe promovime që nxisin frymën e gjithëpërfshirjes dhe transparencës.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, bashkëpunëtorë të COD-it ndër vite u mblodhën në mjediset e Këshillit të Ministrave për të ndarë kujtime, ide dhe mesazhe frymëzimi për të ardhmen e kësaj qendre jo vetëm si një hapësirë, por si një vizion i përbashkët për dialog dhe zhvillim kulturor./atsh/ KultPlus.com