Letërsia queer në Kosovë: një lindje apo një pamundësi

8 Shtator, 2023 - 7:30 pm

Çka është letërsia queer? Kush është në të, kush e ndërton dhe kultivon atë? A është queer letërsia apo autorët/et, apo të dy?

Letërsia queer është term që i referohet letërsisë që eksploron temat, përvojat dhe identitetet seksuale që nuk janë heteronormative. Si e tillë, kjo letërsi edhe sfidon idetë e qëndrimet e deritanishme shoqërore, duke dashur të paraqesë sidomos tregimet në të cilat identitetet janë fluide. Kategoritë tradicionale të seksualitetit dhe gjinisë po zgjerohen dhe letërsia queer po e ndihmon këtë.

Për të diskutuar më shumë rreth letërsisë queer, që ndoshta ndër shqiptarë më shumë asocohet me këngët e dikurshme për dylberat dhe për ashikët, mbrëmë në kryeqytet, organizuar nga Instituti Sekhmet, u mbajt diskutimi ‘Letërsia queer në Kosovë: një lindje apo një pamundësi’.
Një prej të ftuarve në panel, Bardh Rugova – akademik, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, tregoi se ndër vite ka pasur ndoshta ndërhyrje të vogla në letërsinë shqiptare drejt letërsisë queer por se ato nuk janë vërejtur e nuk janë komentuar shumë. Sipas tij, një pjesë e mirë e letërsisë shqipe nëpër vite ka qenë maskuliniste, shkruan KultPlus.

“Është e nevojshme që të shkruhet me një liri dhe një çiltërsi prej secilit prej nesh, edhe nëse kjo dikujt nuk i pëlqen. Në fakt do të ishte bërë që të bëhej zhurmë dhe të ketë debate më shumë rreth letërsisë queer dhe atyre që shkruajnë me një qasje të tillë, anipse letërsia shqipe gjithmonë kah anuar kah shprehja e dashurisë ndaj seksit tjetër” ka thënë mes tjerash Rugova.

Agon Rexhepi, i ftuari tjetër në panel, aktivist i të drejtave të njeriut dhe poet i ri që shkruan poashtu në frymën queer, tregoi se për momentin ka një shpërthim letrar të individëve që shkruajnë lirshëm, burrave që ju shkruajnë vargje burrave apo grave që ju thurin vargje grave tjera.

Gjatë diskutimit, Agoni ka renditur edhe disa burime e autorë shqiptarë të cilët sipas tij po e ndihmojnë një formim të një zhanri a letërsie që mund të cilësohet queer. Mes tjerash, ai ka përmendur shkrimtarin Pajtim Statovci, një kosovar që jeton në Finlandë dhe i cili në disa romane të tij për tematikë ka temat LGBT, platformën Dylberizmi, përmbledhjen ‘Pushimi i gjatë’ nga HAVEIT dhe së fundmi edhe librin ‘Trans në Kosovë’ shkruar nga Lura Limani.

Derisa në letërsinë botërore ekziston qëmoti ky term (po përmendim këtu, ndër tjerë, librat e James Baldwin, Virginia Woolf, Andre Aciman, Oscar Wilde), në Kosovë, letërsia queer është pothuajse në fillet e saj, dhe përmes këtij diskutimi u provua të diskutohej nëse në këtë peisazhin momental kulturor e letrar ka vend e hapësirë, por ka edhe gatishmëri për një depërtim a lindje të një zhanri si ky.

Ky aktivitet u mbështet nga Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ). / KultPlus.com

Të ngjajshme