Dastid Ferati, njeriu i Kosovës, Tokios, arkitekturës e bamirësisë

31 Dhjetor, 2019 - 2:00 pm

Xhemile Hysenaj

Dastid Ferati, arkitekti nga Mitrovica, suksesi dhe karriera e të cilit zë vend në njërin prej metropoleve të botës siç është Tokio në Japoni, ku përveçse mjaft i suksesshëm në profesionin e tij, Dastidi njihet edhe si një njeri shumë human, i cili asnjëherë nuk e ka kursyer veten duke udhëtuar shumë shpesh drejt vendeve më të varfëra për të ofruar ndihmën e vet.

Në një intervistë për KultPlus, Dastidi ka shpalosur më shumë rreth jetës së vetë personale dhe asaj profesionale, ku ka treguar për uljet, ngritjet, përkrahjen e sfidat që i ka hasur gjatë rrugëtimit të tij drejt një karriere të suksesshme si dhe për projektin e tij me qëllim humanitar.

Dastidi ka studiuar për arkitekturë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjatë përfundimit të studimeve u bë anëtar i ekipit për projektimin e masterplanit Prishtina 2012-2022. Dhe ishte pikërisht ky projekt që ngjalli interesimin e tij për projektimin e qyteteve të mëdha, duke bërë që Dastidi të hulumtojë mundësi për të vizituar Tokion ku pastaj aplikoi në një program kërkimi shkencor në të cilin u pranua, duke vazhduar kështu studimet në Tokio fillimisht për 6 muaj e më pas edhe për studimet master.

Në fëmijërinë e tij Dastidi tregon të ketë qenë një fëmijë shumë kurreshtar dhe mbi të gjitha shumë i shoqërueshëm. Ai tregon se qysh fëmijë ka qenë person i cili ka provuar shumë gjëra në kërkim të vetvetes, duke provuar herë muzikën, herë teatrin, modelizmin e shkencën. Ku më fund, pas gjithë këtyre eksperimenteve, ai ka arritur të gjejë një mes të artë, duke kombinuar shkencën dhe artin.

”Kam qenë më shumë i dhënë në shkencat ekzakte dhe natyrore, që besoj më ka bërë të investoj më shumë në të menduarit analitik. Mirpo, çdoherë më ka pëlqyer e bukura, arti dhe moda. Thuhet shpesh që arkitektura është në mes të shkencës dhe artit, e shpesh njerëz të ndryshëm e vlerësojnë si vetëm njërën apo tjetrën. Prandaj, duke mos dashur të sakrifikoj njërën apo tjetrën, ishte arkitektura ajo që më joshi, si fushë ku për të qenë arkitekt i mirë, nevojiten të dyja, shija dhe logjika”, shprehet Dastidi.

Dastid Ferati flet me një pasion të madh për arkitekturën, duke e konsideruar atë si një fushë që ngërthen në vete shumë kuptime, një profesion jo i lehtë por që të falë kënaqësi. Ai iu përket pjesës së arkitektëve të cilët provojnë të maksimalizojnë pjesëmarrjen publike në proceset e dizajnit. ”Me zhvillimin e teknologjisë, materialeve dhe dinamikës së kohë bashkëkohore, një arkitekt i mirëfilltë duhet të jetë në hap me kohën më shumë se kurrë me parë. Unë e dua logjikën në njërën anë dhe artin në anën tjetër, kkështuqë është dizajni urbanistik i cili më ka mundësuar t’i kombinoj këto tri gjëra në një profesion të vetëm”, vazhdon tutje Dastidi në rrëfimin e tij.

Të jesh i suksesshëm kërkon edhe një sakrificë, që kryesisht ka të bëjë me të qenurit larg nga familja e shoqëria, gjë kjo të cilën Dastid Ferati nuk e konsideron si një të metë apo si një mungesë në jetën e tij, pasiqë ai tregon se fakti që udhëton shumë ka bërë që ai të krijojë shumë shoqëri të reja dhe të njihet me njerëz shumë të mirë, me të cilët vazhdon të mbajë kontakte. Sigurisht se ndjen mall për familjen, për të cilën flet me një dashuri të pashoqe, duke thënë se ka një lidhje dhe një afërsi shumë të madhe me ta dhe se pavarësisht angazhimeve dhe obligimeve të tij në profesion ai gjen kohë që çdo ditë të komunikojë me ata.

”Më duhet të them që të jetuarit vetëm i ka përparësitë e veta. Unë vlerësoj që ne si kulturë shqiptare, shpesh kemi tendencë të krijojmë varësi emocionale me të afërmit tonë, e cila shpesh rezulton në presione të ndryshme, (si: martesa, përfundimi i shkollës, lënia pas e trashëgimtarëve etj). Edhe pse të kesh afërsi me familjarët është një gjë shume pozitive, i ka të metat e veta që shpesh na bën të mos investojmë në vete. Një ndër sifdat më të mëdha besoj unë, është të krijosh një pavarësi emocionale, pasiqë është e nevojshme të krijosh atë lloj pavarësie por pa harruar se duhet ruajtur dashuria, afërsia dhe raportet me të dashurit. Prandaj, vlerësoj që distanca që krijohet me të dashurit si rezultat i sfidave në jetë, i ka edhe dobitë e veta, dhe jo çdo herë është e keqe apo e dëmshme”, vazhdon tutje Dastid Ferati.

Humanizmi dhe dëshira e madhe për të ndihmuar është ajo që e karakterizon gjithë jetën e Dastidit, ai udhëton shumë, takon shumë njerëz dhe bashkëndjen me të gjithë ata që kanë përjetuar dhimbje prej më të ndryshmeve. ”Unë së bashku me të gjithë kosovarët nuk kemi nevojë të lexojmë libra, shikojmë filma apo intervistojmë njerëz, që ta kuptojmë ndjenjën e humbjes së familjarëve dhe çdogjë tjeter. E kemi provuar vetë dhe janë kujtime akoma të freskëta.”, tregon Dastidi.

Ndër të tjerash ai ka treguar edhe fillimet e tij në projektet humanitare, pjesë e të cilave ka qenë edhe vetë.

Si student arkitekture në Tokio, Dastidi për temë të masterit ka trajtuar mënyrat e dizajnimit të hapësirave publike në qytetet metropole, temë të cilën ka tentuar ta zgjerojë më pas në studimet e doktoraturës. Ai tregon se gjatë kësaj kohe në Europë filloi dyndja e madhe e refugjatëve sirianë, me ç’rast atij iu bë ftesa të udhëheq një punëtori në Selanik të Greqisë. Qëllimi i të cilës ishte dizajnimi i një hapësire të vogël publike që u dedikohej refugjatëve në njërin nga kampet atje. Kështu ai filloi të intervistojë refugjatët dhe njëra nga intervistat e preku shumë atë, një intervistë që Dastidi deklaron se nuk do ta harrojë kurrë, pasiqë i kujtonte përjetimet e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

”Një djalë 21 vjeçar i cili ishte paralizuar nga një bombë dhe kishte dy fëmijë dhe gruan. Gjatë intervistimit për hapësirën publike, ai ë kërkoi një batanije për fëmijët e tij, të cilët, sipas tij, po vdisnin nga të ftohtit. Ishte ky moment, mbase ai që më ktheu prapa në përjetimet e mia gjatë luftës në Kosovë, që unë vendosa ta ndërroj temën e doktoraturës nga hapësirat publike në kampe refugjatësh në menyrëqë të ndihmoj duke kontribuar nga profesioni im, pra i hulumtuesit shkencor në aspektin e arkitekturës.”, tregon Dastidi.

Në vitin 1951, Kombet e Bashkuara votuan ligjin për refugjatët në bazë të së cilit, çdo njeri i larguar nga shtëpia e tij nga frika e persekutimit, cilësohet si refugjat. Fillimisht ky ligj parashihte angazhimin vetëm për refugjatët nga Europa, mirpo me kalimin e kohës, fatkeqësisht prejardhja dhe numri i refugjatëve vazhdon të rritet edhe sot. Në Kenya, refugjatët mund të jetojnë në njërin nga dy kampet atje: Kakuma dhe Dadaab. Kampi Kakuma si njësi e vetme, është kampi më i madh në botë me një popullësi prej 186,000 banoresh, nga 21 shtete të ndryshme, mirëpo shumica e tyre janë nga Sudani Jugor dhe Somalia. Ky kamp u themelua në vitin 1991 me ardhjen e rreth 15,000 fëmijëve jetim në kamp, të cilët kishin bredhur nëpër shkretëtirat e Afrikës për më shumë se 3 vite. Shumë familje në këtë kamp jetojnë aty që nga ajo kohë, që do të thotë se ka gjenerata të treta të lindura aty, pa parë kurrë asnjëherë asgjë jashtë kampit. Ky kamp gjendet në mes të shkretëtires, pa ujë dhe pa nevojat e tjera elementare.

Pasi konfliktet cilësohen si të përkohshme edhe kampet ndërtohen si të tilla, pra e përkohshme. Fatkeqësisht, si rezultat i ligjeve, këto kampe mbesin me karakter të përkohshëm edhe pas shumë viteve, siç është rasti i Kakumes.

Dhe duke qenë se kjo është një situatë e ndjeshme, Dastidi u bë pjesë e një hulumti shkencor që ka për qëllim të targetojë ndryshimin e karakterit të përkohshëm të kapmeve të refugjatëve. Ai tregoi për KultPlus se meqë shumica e hulumtimeve të kësaj natyre kishin për bazë të dhëna të grumbulluara nga organet shtetërore dhe meqë ai dëshironte që të njihte nga afër jetën e këtyre njerëzve, ai kishte përdorur metodologji të cilat kishin fokusin direkt tek refugjatët.

”Kam intervistuar dhe vizituar qindra familje refugjatësh, me të cilat vazhdoj të jem në kontakt. Përpos Kakumes, unë jam angazhuar edhe në disa vende të tjera të rajonit, siç është Uganda, Sudani Jugor apo kampet ne Tanzani.”, vazhdon rrëfimin ai.

Tragjedia e fundit në Shqipëri që ndodhi si pasojë e tërmeteve, rastësisht e zuri Dastidin në Shqipëri.”

Në fillim të muajit nëntor të vitit 2019, u ftuam nga një koleg japonez që jeton në Shqiperi, për të ligjëruar në njërin nga universitetet në Tiranë, në fillim të muajit dhjetor, tema e të cilit ishte tërmeti që goditi shqipërine në muajin shtator. Meqë unë flas shqip, u pajtuam me profesoreshen që të udhëtoj në Shqipëri një javë më herët në mënyrëqë të organizoj takimet. Kështu ndodhi që unë u gjenda në Kosovë/Shqipëri më 26 nëntor.”, tregon ai.

Duke qenë se ky tërmet kishte magnitudë më të madhe dhe numër shumë më të madh të viktimave, krahasuar me atë të shtatori, ai me të tjerët vendosën që të mos anulonin udhëtimin por përkundrazi të hulumtonin dhe të ofronin ndihmën e tyre shtetit shqiptar. Ku përpos hulumtimeve, ata zhvilluan edhe takime me institucione, me të cilat u pajtuan parimisht për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për angazhimin e laboratorit të tyre në Shqipëri.

Dastidi ndër të tjerash për KultPlus tregoi se ai dhe ekipa e tij po planifikojnë të kthehen në Shqipëri në muajin janar të vitit 2020, ku pretendojnë të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre.”Edhe pse kam shumë dhembshuri për refugjatët, tërmetin në Shqipëri e kam përjetuar shumë rëndë, për faktin se janë njerëzit e mi, për faktin se edhe vetë jam shqiptar. Prandaj projekti i Shqipërisë do të jetë prioritet për mua. ”, pohoi ai.

Ndërsa në anën tjetër projekti që ka për bazë kryesisht vendet e Afrikës, pritet të vazhdoj së paku deri në verën e vitit 2022
”Lidhur me këtë projekt, kam pasur disa takime me universitete dhe institucione të tjera nëpër botë, veçanërisht në SHBA, ku mendoj që së shpejti do të kemi bashkëpunime të ndryshme, për sa u përket kampeve të refugjatëve. Unë shpresoj që projekti do të ketë sukses, i cili do të mundësonte angazhimin tonë në kampe, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Amerikën Qëndrore”, tregon Dastidi për KultPlus.

Një njeri që ka ndjekur ëndrrën e tij, ka arritur kaq sukses dhe në të njejtën kohë nuk lë anash njerëzimin dhe nevojat e tyre, sigurisht që një kohë duhet të ia kushtoj vetes dhe gjërave që atë e relaksojnë. Për Dastidin qetësia dhe relaksi qëndrojnë në momentet kur ai ulet dhe lexon, kur bën yoga dhe më së shumti kur udhëton dhe haset me kultura e njerëz të ndryshëm. Mirëpo, dashuria e tij më e veçantë mbetet tek libri.

Ai tregon se i pëlqen të lexoj për shumë gjëra, që jo domosdo lidhen me profesionin e tij, libra që i përkasin fushave të ndryshme si shkencës, psikologjisë, metafizikës, filozofi, studime të sjelljeve njerëzore etj.

”Mendoj që secili njeri në fazat e hershme të të lexuarit do të përballet me një nihilizëm, por çdoherë është një gjendje tjetër shpirtërore që vjen pas saj e cila mund të arrihet vetëm duke lexuar dhe eksploruar në literaturë. E cilësoj si të dhimbshme nëse të tjerët nuk e perjetojne kete gjendje mentale. Varësisht gjendjes shpirtërore e ndoshta edhe nivelit të dijes, një njeri do të përjetoj të njejtin libër ndryshe saherë që e lexon. Të tilla do i vlersoja librat e Dostojevskit dhe literatures klasike ruse, pas të cilave jam i obsesionuar. Do e veçoja Vëllezërit Karamazov. Poashtu edhe ‘Homo Sapiens’ dhe ‘Homo Deus’, që mendoj që janë dy vepra që çdo i ri duhet t’i lexojë, pasiqë sipas mendimit tij, ndihmojnë në të kuptuarit e dinamikabe të kohës sonë, tabuve dhe pasojat e tyre të shumë vendeve që kanë konflikte, siç jemi edhe ne.”, thotë ai ndër të tjerash.

Ndërsa kur flet për suksesin e tij Dastidi është shumë modest, duke thënë se suksesi ka të bëjë me të qenurit i përmbushur dhe jo domosdo të kesh arritje të larta në karrierë.

”Se çka e bën një njeri të ndihet i permbushur, është një pyetje me shumë përgjigje, prandaj e shoh të domosdoshme që secili të provoj të gjej pergjigje per veten. Sepse kur secili e gjen atë që e përmbushë, puna nuk do të ndihet si punë, atëherë fillon ta duash punen apo te investuarit drejt arritjes së asaj pune. Dhe normalisht, puna e pandërprerë dhe me zell çdoherë sjell suksese”, deklaron ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme