11 Gusht, 2025 - 6:30 pm
Vetëm një javë pas marrjes së detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump, një aplikacion i ri kinez i inteligjencës artificiale (AI) me emrin DeepSeek tronditi Silicon Valley-n. Brenda natës, versioni DeepSeek-R1 u ngjit në krye të listës së shkarkimeve falas në SHBA në App Store të Apple. Kompania pretendoi se chatbot-i i saj rivalizonte ChatGPT-n, dhe madje ishte zhvilluar me një kosto shumë më të ulët.
Ky lajm pati pasoja të menjëhershme në tregun financiar: vlera e aksioneve të gjigantit të çipave Nvidia ra me 600 miliardë dollarë, duke shënuar humbjen më të madhe ditore për një kompani në historinë e bursës amerikane. Edhe aksione të tjera të lidhura me AI pësuan rënie.
Për shumë analistë, mbërritja e DeepSeek ishte “momenti Sputnik” i AI-së, duke sfiduar perceptimin se SHBA dominonte plotësisht këtë fushë. Aplikacioni tregoi se edhe me burime më të kufizuara mund të ndërtohej një model konkurrues, duke vënë në dyshim qasjen amerikane të fokusuar te qendrat masive të të dhënave dhe fuqia e madhe kompjuterike.
Por suksesit të menjëhershëm i pasuan sfidat. Organizata në SHBA nisën ta ndalonin përdorimin e aplikacionit, mes frikës se të dhënat e përdoruesve mund të përfundonin në serverë në Kinë. Politika e privatësisë së kompanisë e konfirmon se të dhënat ruhen dhe përpunohen në Republikën Popullore të Kinës. SHBA madje nisi hetime mbi lidhjet e DeepSeek me ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës kineze.
Megjithatë, shumë start-up-e amerikane vazhdojnë ta përdorin modelin për të ulur kostot, shpesh duke e ekzekutuar lokalisht për të shmangur rreziqet e privatësisë. Ekspertët theksojnë se modeli kinez ndryshoi mënyrën se si mendohet për AI-në, duke treguar se efikasiteti mund të jetë po aq i rëndësishëm sa fuqia përpunuese.
Krahasimet financiare janë të dukshme: ndërsa OpenAI shpenzoi rreth 5 miliardë dollarë vetëm në vitin 2024, DeepSeekthotë se zhvilloi R1-in me vetëm 5.6 milionë dollarë, duke e kaluar modelin o1 të OpenAI në disa teste matëse.
Megjithatë, pas gjashtë muajsh, zhurma është zbehur. OpenAI ka rifituar terren duke lançuar modele të reja, përfshirë GPT-5 dhe tregu është kthyer sërish drejt investimeve masive në qendra të dhënash dhe infrastrukturë. Aksionet e Nvidia-s jo vetëm që janë rikuperuar, por kanë arritur nivele rekord, duke e bërë kompaninë më të vlefshme në histori.
Sipas analistëve, DeepSeek tani përballet me vështirësi për të ruajtur momentumin, me vonesa në produktin e ri DeepSeek-R2 për shkak të mungesës së çipave të avancuar dhe konkurrencës së ashpër si nga SHBA, ashtu edhe nga Kina.
Në fund, DeepSeek mbetet një shembull i fuqishëm se si një inovacion i papritur mund të tronditë tregjet dhe të ndryshojë diskutimin global, edhe nëse efekti i tij afatgjatë nuk është aq revolucionar sa dukej në fillim./KultPlus.com