Deklarata shtetërore e presidentes Vjosa Osmani në Samitin për Demokraci (VIDEO)

29 Mars, 2023 - 12:25 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të  shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

Më poshtë po ju sjellim deklaratën shtetërore të presidentes në Samitin për Demokraci:

I nderuar President Biden, të nderuar kolegë,

Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.

Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet.

Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar.

Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë,  pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës.

Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë.

Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin  e korrupsionit. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike.

Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International.

Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit.

Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse.

Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit.

Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t’ju mirëpresim të gjithëve në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë.

Te nderuar kolegë,

Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive.

Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.              

Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm.

Siç tha kohët e fundit Presidenti Biden: “Në momentet e trazirave të mëdha dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin.”

Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë.

Faleminderit!

Bashkëngjitur gjeni video adresimin e  Presidentes Osmani në Samitin për Demokraci. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme