Dekorime që çmojnë rolin e shqiptaro-amerikanëve në shërbim të kombit

28 Korrik, 2021 - 5:15 pm

Presidenti Ilir Meta nderon veprimtarët Rexh Xhakli (pas vdekjes), Skënder Perolli dhe Christopher Hyland, për rolin e tyre për përparimin e kauzës kombëtare shqiptare në SHBA dhe forcimin e lidhjeve mes dy kombeve tona.

Nga Ruben Avxhiu

Përveç ceremonisë së përbashkët, ajo që i bashkoi sot tre të dekoruarit nga Presidenti i Shqipërisë është se sa pak janë vlerësuar e nderuar për punën e tyre sidomos kontributin plot 30 vjet më parë.

Kemi kohë që kemi hyrë në një periudhë 30-vjetoresh, që na kujtojnë momente historike kyçe në jetën e shqiptarëve të tri dekadave më parë.

Rexh Xhakli

Rexh Xhakli nuk jeton më, kështu që në vend të tij e mori bashkëshortja Shpresa Xhakli, e cila është gjithashtu një figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan me punën e saj për rritjen e ndërgjegjësimit për çështjen e autizmit.

Rexh Xhaklli, për shembull, është një prej atyre shqiptaro-amerikanëve që ka kontribuar në çdo moment të fundit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990, kur shqiptarët po mësonin mjeshtërinë e lobimit modern, kur Kosova po bëhej emër i njohur në SHBA, kur shqiptarët po krijonin së pari Ligën Qytetare, e pastaj LDK-në e organizata të tjera. Në çdo hap, në çdo nismë politike e financiare, Rexh Xhakli ishte aty, pa kursyer asgjë, i gatshëm për ta derdhur pasurinë në të mirë të kombit.

Sa ka dhënë ky njeri për Kosovën e tij e për të gjithë trojet shqiptare? Nuk mund të llogariten dhe ai vetë u tërhoq tërësisht nga jeta publike, pikërisht kur filluan të qetësohen tensionet dhe të fillojë dhënia e meritave dhe matja e kontributeve. Vetëm pas vdekjes mësuam për shembull se kishte dhënë 150,000 dollarë para në dorë (cash) vetëm për UÇK-në. Gjë që të jep një ide të kontributit të tij masiv në vite që nga dekada e viteve 1980.

Kryetari i Shtetit i akordoi Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të merituar dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur e shembullin e tij të rrallë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ndaj humanizmit, ndikimit e kontributit të tij të gjerë shoqëror.”.

Rexh Xhakli nuk jeton më, kështu që në vend të tij e mori bashkëshortja Shpresa Xhakli, e cila është gjithashtu një figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan me punën e saj për rritjen e ndërgjegjësimit për çështjen e autizmit. Mjeke nga profesioni, e lindur në Preshevë, ajo ka ngritur një rrjet të tërë në Kosovë për femijët që vuajnë nga autizmi.

Ajo e pranoi dekorimin në emër të familjes dhe foli për përkushtimin e gatishmërinë për sakrifica të Rexhës sa herë që bëhej fjalë për një çështje kombëtare. Ndonëse nga Kosova, Rexhë Xhakli ka lindur në Fier dhe me këtë rast Shpresa Xhakli i përcolli Presidentit Meta kërkesën e vajzës së saj për t’u bërë nënshtetase e Shqipërisë.

“Im atë e ka vendlindjen në Shqipëri dhe unë e ndjej veten pjesë e këtij vendi”, tha thënë ajo.

Skënder Perolli

Skënder Perolli u nderua me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Një tjetër figurë kontributi i të cilit njihet pak, është Skënder Perolli. Edhe ai lidhet ngushtë me një 30-vjetor që po festojmë, atë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë.

Për gati gjysëm shekulli Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës dhe SHBA nuk kishin marrëdhënie diplomatike. Duke parë se në Shqipëri po frynte era e ndryshimit, ndonëse komunistët ishin ende në pushtet, disa shqiptaro-amerikanë kishin filluar të lobonin për rivendosjen e lidhjeve diplomatike. Ata mendonin se rilidhja mes dy shteteve do ta përshpejtonte vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Mes tyre, askush nuk u shqua më shumë sesa Skënder Perolli.

Skënder Perolli nuk ka folur asnjëherë për rolin e tij personal në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Ky rol është zbuluar nga intervista dhe shkrime të një prej ekspertëve të njohur në Washington DC, James Hooper që në atë kohë shërbente si diplomat dhe punoi gjatë me këtë proces.

Sipas tij, Departamenti i Shtetit u sinjalizua nga Anthony Athanas se Shqipëria pavarësisht prej retorikës ishte gati për një hapje. Më pas erdhi vizita e Ramiz Alisë në OKB, rihapja e bisedimeve me diplomatët shqiptarë në New York.

Gjatë një interviste me Charles Stuart Kennedy, për ADST, në 2006, James Hooper duke komentuar për mundësitë e hapjes së Kubës komuniste, iu rikthye kujtimeve për hapjen e Shqipërisë komuniste në 1990 dhe rolin që luajtën shqiptaro-amerikanët. “… komuniteti ishte absolutisht kyç, sidomos një njeri me emrin Skënder Perolli, që gjithmonë e gjente një zgjidhje kur kishin nevojë për ndihmë në uheshin dhe rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, po edhe më vonë lidhur me Kosovën. Ai ishte një shtylla që mban çatinë gjatë gjithë procesit”.

Kur u vendos për gjithshka dhe delegacioni i parë zyrtar amerikan u nis drejt Shqipërisë, Skënder Perolli ishte një nga pjesëtarët e delegacionit.

Kur mendon se gjyshi i tij ishte pushkatuar nga komunistët dhe familja e tij ishte arratisur për t’i shpëtuar persekutimit, kjo prani e Skënder Perollit në delegacionin e parë amerikan që po i jepte fund izolimit komunist ishte vërtet simbolike.

Bir i familjes së njohur patriotike Ukperaj, nga Hasi, pjesë e fisit të shquar Binaki, ai është trashëgimtar i njerëzve që kanë luftuar brez-pas-brezi për liri e vetëvendosje. Përmenda më lart pjesëmarrjen e Rexh Xhaklit në ngjarjet themelore të 30 vjetëve më parë, por në të gjitha ka qenë edhe Skënder Perolli. Që nga themelimi  i LQSHA, të veprimtaritë me NAAC etj. Sa herë që ka pasur nevojë shqiptaria.

Ai u nderua me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane; me mirënjohje për lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Duke folur me këtë rast, Skënder Perolli tha se pranoi sot dekoratën edhe në emër të gjyshit Ramadan Binaki dhe të babait Sadik Ramadani (Ukperaj).

Christopher Hyland

Ambasador Avni Spahiu (majtas) duke marrë dekoratën në emër të Christopher Hyland.

Së fundi, siç u shpreh në ceremoni edhe Presidenti Ilir Meta, suksesi i shqiptarëve të Amerikës në punën e tyre në shërbim të kombit i detyrohet edhe miqve amerikanë që na mbështetën në vite. Një të tillë e nderoi sot me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: Christopher Hyland.

Rreth 30 vjet më parë, një yll i ri u shfaq në politikën amerikane, guvernatori Bill Clinton nga Arkansas. Jo vetëm shqiptarët por edhe shumë amerikanë nuk dinin asgjë për të. Shqiptarët që kishin miq mes Republikanëve dhe Demokratëve të vjetër druheshin se çdo të ndodhte nëse zgjidhej president ky guvernatori nga Arkansas. Ishte në atë kohë që u shfaq mes tyre Christopher Hyland. I caktuar nga fushata Clinton për t’u lidhur me komunitetet etnike në New York e pastaj në SHBA, ai u mrekullua nga shqiptarët.

Shumë shpejt u kthye nga një emisar ndërlidhës me fushatën e guvernatorit të ri, në një kontribues plot pasion për çështjen e Kosovës dhe të demokracisë në Shqipëri. Hyland ka meritën për krijimin e një lidhje të hershme dhe të shpejtë të shqiptaro-amerikanëve me ekipin e presidentit të ardhshëm Bill Clinton. Ai i prezantoi shqiptarët edhe me Hillary Clinton që do të bëhej më vonë vetë Senatore dhe kandidate për president.

Hyland u takua në atë kohë me Rugovën, Bukoshin e shumë udhëheqës të tjerë me të cilët ruan kujtime të bukura. Një prej tyre është edhe Ambasador Avni Spahiu që mori sot dekoratën në emër të Christopher Hyland që për shkak të moshës dhe rrethanave nuk mund të udhëtonte. Spahiu që është ambasadori i parë historik i Kosovës të pavarur në SHBA,është njohur me Hyland që gati tre dekada më parë, kur udhëtonte shpesh në Washington e New York me Presidentin Rugova dhe delegacione të tjera të Kosovës në përpjekje për lobuar politikën amerikane.

Christopher Hyland

Ai lexoi pasazhe nga letra që Hyland i kishte dërguar me këtë rast presidentit Meta, me modesti falenderonte për dekorimin edhe komunitetin shqiptaro-amerikan që i dha mundësinë të njihej me këtë komb krenar dhe me këtë kauzë të drejtë për të cilën po luftonin e pjesë e të cilës u bë edhe ai.

Hyland u nderua me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur në drejtim të përhapjes dhe lartësimit të vlerave më të mira të shqiptarëve. Me mirënjohje për kontributin e shquar në thellimin dhe konsolidimin e miqësisë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës”.

Të tre këto figura kanë shumë më tepër detaje interesante në veprimtarinë e tyre sesa mund të përfshihen në një shkrim të përbashkët. Këtu janë rreshtuar vetëm një përshkrim i shpejtë dhe i përmbledhur i një pune që më në fund po nderohet.

Gazeta “Illyria” ka qenë përkrahëse dhe nxitëse e këtyre dekorimeve, për shkak të meritës historike të harruar për këto personazhe të botës sonë shqiptaro-amerikane. Biznesmeni dhe veprimtari i shquar Skënder Perolli madje falenderoi edhe botuesin Vehbi Bajrami dhe këshilltarin e njohur të Presidentit Meta, Flamur Gashi që kishin qenë pjesë e procesit të nderimit.

Ajo që nuk denim ishte se Presidenti Meta e kishte lënë këtë ditë për dekorimet sepse rastiste me 100-vjetorin e lindjes të Anthony Athanasit, “patriarkut” të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, ish-mikut të Fan Nolit, që ka frymëzuar vetë një brez të rinj patriotësh shqiptarë në Amerikë për të ecur në gjurmët e tij. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme