Del shteti i parë në botë që e bën të detyrueshme vaksinën për Covid për fëmijët

6 Nëntor, 2021 - 10:15 am


Kosta Rika është shteti i parë në botë që e ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e fëmijëve me vaksinën kundër Covid-19. Zyrtarët shëndetësorë thanë se kjo vaksinë do t’i bashkohet listës së vaksinave themelore që kërkohen me ligj për fëmijët.

Shteti me rreth pesë milionë banorë nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin amerikan, “Pfizer”, në mënyrë që ta fillojë vaksinimin e fëmijëve nën moshën 12-vjeçare nga marsi i vitit të ardhshëm, shkruan BBC.

Shumica e fëmijëve kanë pak gjasa që të sëmuren seriozisht, nëse infektohen me koronavirus, por ende mund ta përhapin virusin, edhe nëse nuk kanë simptoma. Vaksinimi mund ta ndihmojë parandalimin e përhapjes së virusit nga fëmijët.

Sipas marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”, Kosta Rika do të marrë 3.5 milionë doza të vaksinës, prej të cilave 1.5 milion do të jenë të rezervuara për fëmijët mes moshave 5- e 11-vjeçare. Dozat tjera do të shfrytëzohen për grupe tjera të popullsisë.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar përdorimin e vaksinës së “Pfizer”-it për fëmijët mbi moshën 5-vjeçare. Ky vendim e ka hapur rrugën për vaksinimin e 28 milionë fëmijëve amerikanë. Atyre do t’u jepet një e treta e dozës që e marrin të rriturit. / KultPlus.com

Të ngjajshme