Delegacioni nga EYCA viziton Kosovën, nënshkruhet marrëveshje e re

6 Shkurt, 2024 - 8:31 pm

Sot është nënshkruar marrëveshja mes MKRS-së dhe Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), e cila do t’u mundësoj të rinjve tanë që të pajisen me Kartën Rinore Evropiane. Kjo i bën ata të barabartë me 8 milion të rinj evropian të cilët tashmë posedojnë Kartën Rinore Evropiane, dhe përmbush kësisoj edhe një hap drejt integrimit evropian të vendit tonë.

Të rinjtë nën moshën 29 vjeçare do të mund të pajisen me kartën e cila do të jep qasje në mbi 60 mijë zbritje dhe përfitime tjera në shërbime të ndryshme si: transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, produkte të ndryshme kudo në Evropë dhe në Kosovë.

Nënshkrimi i marrëveshjes u realizua sot, në kuadër të vizitës studimore dy-ditore të delegacionit të lartë të EYCA-s, në përbërje të Manel Sánchez – drejtor dhe Corina Pirvulescu, Pablo Guillerna, Julien Tate-Smith dhe Marilda Kotsoni. Nenshkrimi u bë nga u.d sekretari i MKRS, Xheladin Krasniqi dhe drejtori i EYCA, Manel Sánchez.

Delegacioni i EYCA-s po ashtu u prit në takim nga ministri Hajrulla Çeku, i cili u shpreh i lumtur për anëtarësimin e Kosovës në EYCA dhe vizitën e tyre në Kosovë ndërsa shprehu mbështetjen e plotë të MKRS në zbatim të këtij projekti.

Krerët e Shoqatës e vlerësuan mikpritjen dhe falënderuan ekipin e MKRS-së për punën e jashtëzakonshme e cila rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni i EYCA-së, organizuan sesione informimi dhe prezantimi për përfaqësuesit e ministrisë, në të cilat u diskutuan modalitetet e implementimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve në mundësitë që ofron Karta Evropiane Rinore. /KultPlus.com

Të ngjajshme