Delegacioni nga Spanja viziton Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina, diskutohet për shkëmbim të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës

25 Korrik, 2022 - 3:02 pm

Ministri Çeku priti në takim delegacionin nga Spanja që kanë ardhur për ta vizituar Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina.

Delegacioni i përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve. Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit.

Gjithashtu, u diskutua për përvojat e organizimit të Manifesta 14 Prishtina në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta./ KultPlus.com

Të ngjajshme