Dëmshpërblimi më i madh në histori: Anthropic paguan 1.5 mld dollarë për të drejtat e autorit

9 Shtator, 2025 - 8:00 pm

Një nga proceset më të mëdha gjyqësore mbi të drejtën e autorit në SHBA ka përfunduar me një marrëveshje rekord. Kompania e inteligjencës artificiale, Anthropic, ka rënë dakord të paguajë 1.5 miliardë dollarë një grupi shkrimtarësh dhe botuesish, pasi një gjykatës vendosi se kishte shkarkuar dhe arkivuar në mënyrë të paligjshme miliona libra të mbrojtur nga e drejta e autorit. New York Times e ka cilësuar marrëveshjen si dëmshpërblimin më të madh ndonjëherë në historinë e rasteve të shkeljes së të drejtave të autorit. Çdo autor i përfshirë do të marrë rreth 3 mijë dollarë për vepër, duke përfshirë afro 500 mijë shkrimtarë.

Procesi ishte iniciuar nga autorët Andrea Bartz, Charles Graeber dhe Kirk Wallace Johnson, të cilët akuzonin Anthropic se kishte kopjuar pa leje librat e tyre për të zhvilluar modelin e inteligjencës artificiale Claude.

“Ky është një precedent historik, shumë më i madh se çdo rast tjetër i ngjashëm më parë, dhe i pari i këtij lloji në epokën e IA”, tha avokati i paditësve, Justin Nelson. Megjithëse shuma e dëmshpërblimit është rekord, ajo mbetet e vogël në krahasim me kapitalin e vetë kompanisë. Vetëm së fundmi, Anthropic ka njoftuar një marrëveshje të re investimesh prej 13 miliardë dollarësh, duke e çuar totalin e fondeve të mbledhura që nga themelimi në vitin 2021 në mbi 27 miliardë dollarë. Marrëveshja pasoi një vendim të qershorit nga gjykatësi federal William Alsup, i cili pranoi se përdorimi i librave të blerë ligjërisht për trajnimin e modeleve të IA mund të konsiderohej “përdorim i drejtë” dhe se teknologjia ishte “thellësisht transformuese”.

Por gjykata konstatoi gjithashtu se Anthropic kishte shkarkuar miliona libra nga biblioteka pirat si Library Genesis dhe Pirate Library Mirror. Sipas vendimit, drejtuesit e kompanisë e dinin se këto platforma përmbanin materiale të paligjshme, por zgjodhën këtë rrugë për të shmangur “vështirësitë ligjore dhe tregtare” të blerjes së librave, siç pranoi edhe vetë CEO i Anthropic, Dario Amodei, në dokumentet gjyqësore. Ky rast shihet si një pikë kthese për marrëdhëniet mes industrisë së botimeve dhe kompanive të inteligjencës artificiale, duke hapur precedentë të rinj për mënyrën se si trajtohen të drejtat e autorit në epokën digjitale.

Të ngjajshme