9 Korrik, 2025 - 11:44 pm
Vallëzimi sufi me ngjyrat dhe tingujt e traditës egjiptiane solli atmosferë të pazakontë sot për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që mbushnin pasditen e sotme sheshin “Skënderbej” në kryeqytet.
Pas nisjes në sallën “Tonin Harapi” një natë më parë, “Java Egjiptiane vijoi sot në sheshin qendror të Tiranës me performancat “Tanoura”.
Qytetarët të befasuar u përfshinë në përvojë unike shpirtërore dhe artistike, me lëvizjet rrotulluese të dervishit “fluturues”.
Mjaft prej tyre u bashkuan në lëvizje të ftuar nga ritmi i valles.
Vallëzimi tregon historinë e lidhjes midis tokës dhe qiellit, njeriut dhe Zotit. Valltari rrotullohet rreth vetes dhe duket sikur nuk është më në këtë botë. Ai rrotullohet për gati 30 minuta dhe më pas ndalon pa shfaqur asnjë shenjë marramendjeje.
Vallja mahnitëse Tanoura, është një performancë tradicionale që bashkon shpirtin dhe lëvizjen, e frymëzuar nga rrotullimi sufi.
Vetë fjala do të thotë fund, pasi valltari vishet me funde shumëngjyrëshe e shtresa të shumëfishta për ta bërë rrotullimin Akoma edhe më hipnotizues.
Java Egjiptiane do të vijojë me të tjera ngjarje ku përfshihet edhe eksplorimi i shijeve të pasura, aromave të forta dhe recetave autentike, pa lënë mënjanë dhe shfaqjen e prodhimeve të kinematografisë egjiptiane./atsh/ KultPlus.com