24 Korrik, 2025 - 11:46 am
Qyteti i Dimalit është bërë pritës i aktivitetit festiv kushtuar trashëgimisë kulturore, ku u shpalosën për pjesëmarrësit traditat, artizanati dhe historia e qytetit.
Pedonalja u ndez nga një festë shumëngjyrëshe ku u ndërthurën këngët popullore, valet e krahinës dhe ekspozitat me punimet artizanale. E veçanta e këtij aktiviteti ishin veshjet tradicionale të zonës të trashëguara brez pas brezi të realizuara nga nxnënësit e shkollave të zonës.
Angazhimi i thuajse të gjithë komunitetit i dha një tjetër dimension festës, duke promovuar trashëgiminë kulturore si një pjesë e pa ndarë e identitetit të qytetit.“Ne ndodhemi në një festë të trashëgimisë kulturore duke prezantuar të gjitha projektet që shkollat kanë prezantuar gjatë gjithë vitit, gjithashtu dhe projektet artizanale në bazë të njësive administrative apo qëndrave artizanale”, tha Albano Kora, organizator.
Organizatorët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili ndërthur traditat e qytetit, të cilat fatkeqësisht po harrohen me kalimin e viteve, transmeton euronews.
“Festa e trashëgimisë kulturore në zemër të Dimalit, ky është një projekt që i cili jetëson jetën e Dimalit, falë projekteve të ndryshme, projekteve rinore të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore janë projekte fantastike të cilat sjellin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi Vilson Shehu, organizator gjithashtu.
Festa kushtuar trashëgimisë kulturore u mirëprit nga publiku vendas duke dëshmuar lidhjen e fortë të banorëve me historinë dhe traditat e të parëve.