Dita Botërore e Maleve, Uta Ibrahimi bën thirrje në ruajtjen e malit të Sharrit (VIDEO)

11 Dhjetor, 2022 - 5:33 pm

Në Ditën Botërore të Maleve, alpinistja kosovare, Uta Ibrahimi, ka publikuar dokumentarin ‘Run for Sharr’ me të cilin bën thirrje që të ruhet sharri dhe pasuritë bimore e shtazore që ai ofron, si një prej maleve që zënë vendin e dytë në Evropë për kapacitetin ujor, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të alpinistes Ibrahimi:

Urime Dita e Maleve.

Malet e Sharrit, jane malet me te dashtuna per mu. Më kanë tjetërsu, më kanë bë njeri ma të mirë, njeri ma të lumtur, ma të ndjeshëm edhe më të fortë.

Sharri më kanë ndihmu me arrit qëllime te mëdha ne jetë, sikurse me u ngjit ne Majat ma të nalta të Botës. Më ka frymëzu me e dashtë edhe më shumë natyrën e me dhanë gjithcka prej vetes për ruajtjen e saj.

Miq, ju që ende nuk e keni ecë Sharrin, këto male janë të jashtzakonshme në çdo stinë. 

Pranvera, vera, vjeshta dhe dimri, të gjitha kanë potencial të madh turizmi, por jo nëse nuk i rujmë edhe nuk i dojmë malet tona. Malet ruhen e duhen, at’here kur nuk prehen, nuk ndërtohen, nuk asfaltohen.

Eshtë momenti i fundit për të gjithë ne, ta gjejmë një mënyrë, ta kemi një plan, të përfitojmë nga natyra pa e dëmtuar atë. Ta ruajmë dhe ta kthejmë natyrën në anën tonë dhe të zhvillimit të vendit tonë.

Çdo hap, cdo fushë e luginë e Maleve të Sharrit është ndryshe prej tjetrës, e pasur me burime ujore, bimë, lule të bukura, kafshë të egra dhe të rralla.

Mijëra lule, bimë e drunjë në këto male janë unike. I rrallë është edhe Rrëqëbulli i Sharrit.

Ndërtimet pa leje në zonat e ndaluara, ndërtimet e hidrocentraleve pa kurrëfar planifikimi, premja e drunjve, bërllogu që ta nxen frymën, gjuetia – duhet me u ndalën.

Duhemi me i nejt gati krejt bashkë, na me raportu e institucionet tona me dënu krimin e vazhdueshëm, jo vec në Malet e Sharrit, po në krejt malet tona.

Dua që ky dokumentar te ju inspiroj, e ta bëj të mundur që heren e ardhshme të flasim sa mijë drunj janë mbjellë, jo sa janë pre.

Unë për vete, sa të kem frymë do t’vazhdoj me ju ngjit Sharrit sepse aty mbushem me dashni.

Ndjenjen qe e përjetoj në Sharr kam dëshirë me e nda me të gjithë që i has nëpër ekspeditat e mia në Himalaja. Ju flas të gjithëve dhe kam dëshirë edhe ata me ardhë këtu dhe me ja përjetu bukurinë Sharrit. Por miq të dashur, dashnia jeme e pafund s’mjafton me i rujt këto male.

Andaj, ju ftoj ta shikojmë këtë dokumentar bashk, të realizuar nji vit më parë dhe ju ftoj që t’bëhemi bashkë për me i rujt malet tona./ KultPlus.com

Të ngjajshme