Dita ndërkombëtare e të zhdukurve, Osmani: Ata janë plaga jonë e përbashkët që nuk mbyllet pa u ditur fati i tyre

30 Gusht, 2021 - 3:03 pm

Sot shënohet dita ndërkombëtare e të zhdukurve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë bërë homazhe pranë memorialit për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“1632 persona janë ende nëpër listat e të zhdukurve me dhunë. Ky numër, për ne nuk paraqet, thjesht, numër. As numri në të cilin listat e renditin secilin nga ta nuk është thjesht një numër. Ata paraqesin jetë njerëzish, histori më vete, të cilët së bashku e përbëjnë historinë tonë të përbashkët. Ata janë plaga jonë e përbashkët, e cila nuk mund të mbyllet pa u bërë i ditur fati i secilit prej tyre.”- shkruan Osmani përmes një postimi në Facebook.

Presidentja Osmani thotë se Kosova nuk do të heshtë karshi poshtërimit që shteti serb po ua bën të zhdukurve me dhunë, viktima të dhunës shtetërore serbe.

“Prandaj, gjetja e më të dashurve tanë – vajzave, djemve, nënave e baballarëve të Kosovës, është prioriteti ynë. Ne nuk mund të dialogojmë për tema të tjera përpara çështjes së fatit të të zhdukurve, sepse asgjë tjetër nuk ka vlerë krahasuar me jetët e të dashurve tanë, me njohjen e fatit të tyre dhe, së paku, me prehjen e eshtrave të tyre në tokën e të parëve. Pa zbardhjen e fatit të tyre nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon.” – shton më tutje presidentja Osmani./KultPlus.com

Të ngjajshme