Ditë zie kombëtare në solidaritet pas tërmetit në Turqi, flamujt në gjysmështizë

13 Shkurt, 2023 - 1:35 pm

Sot flamujt kombëtarë janë ulur në gjysmështizë, në të gjitha institucionet shtetërore në ditën e zisë kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.

Vendimi u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian”, u shpreh presidenti Bajram Begaj, në një postim online, duke shtuar edhe se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama ka postuar foton e flamurit në gjysmë shtizë, përpara Kryeministrisë. Gjithashtu edhe institucionet e tjera, i janë bashkuar heshtjes së dhimbjes për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

“Le të bashkojmë lutjet tona për popullin turk dhe atë sirian, që sot po përballen me një tragjedi të jashtëzakonshme!

Le të shërbejë si një ditë solidariteti dhe reflektimi për jetën”, ka shkruar sot, ministrja e Kulturës, Margariti, ndërkohë që institucione të tjera kanë ftuar qytetarët që më vonë të bashkohen në një ceremoni përkujtimore, duke ndezur qirinj për shpirtrat e humbur në këtë tragjedi.

Mbi 37 mijë viktima janë konfirmuar deri më tani në Turqi dhe Siri. Çdo orë që kalon rrit numrin e jetëve të humbura si dhe ul mundësitë për gjetjen e të mbijetuarve./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme