2 Maj, 2025 - 5:30 pm
Në nisje të sezonit veror Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) u ndal në një prej perlave joniane, për të sjellë pranë publikut ekspozitën dokumentare dhe fotografike mbi dinamikën e qytetit turistik të Himarës në shekullin e kaluar.
Në bashkëpunim me bashkinë e Himarës, DPA-ja shpalosi përgjatë shëtitores së qytetit një rrëfim në lidhje me bukurinë e përveçme të Rivierës dhe veprimtaritë publike të atyshme, të përqendruara në gjysmën e parë të shek. XX.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm kryebashkiaku Vangjel Tavo, si edhe banorë, turistë dhe të interesuar të shumtë.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë kërkesa e vitit 1922 për krijimin e bashkisë së Himarës, gjer asokohe nënprefekturë e Vlorës, korrespondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme, kërkesa për rindërtimin e skelës së portit si dhe kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri të shtunën, datë 3 maj.
Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërëndesat në veprimtarinë e DPA-së./atsh/KultPlus.com