Duart që çuan në këmbë krejt sallën

19 Qershor, 2025 - 6:59 pm

Kur performanca “Marrja Zezë” përfundoi në Teatrin “Oda”, Shpejtim Smaqi dhe Sabahete Hasani janë duke pritur te dera e sallës me dy daulle në duar. Janë performuesit e radhës në program. Teksa publiku del, ata futen si pa dashur të vërehen, me qëllim që të ambientohen pak me skenën e teatrit për herën e parë në jetën e tyre. Pak dhe si me droje.

Shkruan: Gili Hoxhaj

Nuk besoj të kenë performuar më parë edhe para një publiku kaq divers, që përbëhet nga njerëz që vijnë nga shtete, besime e sfonde të ndryshme – që e bëjnë aktivizmin e pabarazive gjinore e sociale. Që nuk e kuptojnë gjuhën, por del më vonë që e përqafojnë ritmin e tyre. Dyshja tërë jetën është përpjekur vetëm ta bëjë argëtimin. Mbrëmë ia dolën suksesshëm. “Na kënaqemi vetëm kur ju kënaqeni”, më thotë Shpejtim Smaqi në një bisedë të shkurtër. Elira nga Artpolis është dashur t’i takojë në Gjakovë që t’i bindë të vijnë në festival. Ajo u kujdes për çdo detaj që ata të ndihen rehat. I kishte aranzhuar taksin dhe hotelin, në bazë të marrëveshjes që kishin arritur. Në një tavolinë të zezë kishin të vendosur ujin, e kur publiku i rrethon me ulëse, nisin këngën. Janë këngë që i kam dëgjuar shpesh si fëmijë. Këngë dasmash. Këngë me të cilat janë martuar nëna, gjyshja dhe të afërmit e mi.

Verën e kaluar edhe një shoqe e imja e vëllai im. “Me na bo shyhret”, është krejt çka kërkonin nëpërmjet këngës. Organizatorja e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha, doli e para me kolegen e saj, Venera Ismaili. Dhe sikur edhe duart e tyre e performuesve u çliruan, kur salla do të përshkohej nga vallëzimi prej këngës së tyre. E këndonin me emër këdo që dilte në mes dhe kështu gjithçka ngjizej me të qeshura. Nuk ia huqnin emrit kur u pëshpëritej në vesh, përkundër zhurmës. “Duart që Djegin, Zemrat që Çlirojnë” është titulluar mbrëmja e natës së tretë në FemArt, krejt e pazakontë, por si një festë çliruese, ku secili di saktë si të vallëzojë. Edhe artistja Anisa Ismaili iu kthye kësaj nostalgjie dhe e shijoi atë. “Artistët e huaj që ishin prezent, na pyetën si është e mundur që të gjithë ju po dini të vallëzoni?… Eh, tradita nuk harrohet lehtë dhe me shumë dëshirë ne e ruajmë”, thotë aktorja dhe producentja, Anisa Ismaili.

Sipas saj, është e rëndësishme që edhe kjo anë të tregohet në festival.

“Një natë shumë ndryshe në FemArt. Dyshja e elektrizuan skenën e qe besa edhe neve si audiencë. E bukur që edhe kjo pjesë e traditës sonë të tregohet në festival”, theksoi ajo. Duket se nuk mbeti kush pa vallëzuar, qoftë nga ulësja, qoftë në këmbë e valle. Chiara Bosco nga Italia nuk u ndal asnjë moment bashkë me shoqet e saj.

“Ka daulle dhe këngë dhe shumë gra të bukura që kërcejnë në rreth… është si një ritual pagan të cilit i përkas. Thjesht mahnitëse”, më thotë ajo përderisa kënga nuk ndalet.

Kjo i kënaqte performuesit të cilët gjithë buzëqeshje u drejtoheshin atyre që vallëzonin. Sikur mundi po u shpërblehej. Madje morën dhe një ftesë të re për të interpretuar në “EtnoFest”. Shpejtimi me Sabahaten janë miq të mirë dhe anëtarë të një familje. Shpejtimi këtë punë e bën kaherë.

“Prej 13 vjeç ja kam filluar, tash i kam 48. Kam qejf me kon krejt të knaqun”, shprehet tutje Shpejtimi teksa ia shoh djerset ne fytyrë. Thotë se janë të lumtur që janë pjesë vetëm e gëzimeve të njerëzve dhe kjo shpresë lind përditë e re për ta.

“Na jemi veç për të mirë, si të çohem mëngjes, thojmë ‘More Allah t’kish më u martu dikush më shku më këndu, haha…’”, vazhdon për disa kohë të qeshurën ai. Qesh edhe unë. Marr disa komente më vonë për këtë ngjarje që e kisha postuar, disa shumë të mira dhe tek aty dikush që u befasua. Pak rëndësi ka. Kjo ishte një mbrëmje që na çliroi dhe na lidhi me kujtimet. Na bëri t’ia kapim dorën njëri-tjetrit dhe të qeshim më shpirt teksa vallëzojmë. Në asnjë mbrëmje tjetër nuk qeshëm më shumë./KultPlus.com

Të ngjajshme