Durrësi antik ofron pasuri edhe për të apasionuarit e arkeologjisë nënujore

30 Qershor, 2025 - 3:57 pm

Durrësi ka pasuri nënujore, e cila përbën një vlerë të shtuar për qytetin e cila mund të inkurajojë akoma më shumë zhvillimin e turizmit arkeologjik.

Durrësi, që në antikitet ka qenë port i rëndësishëm i Adriatikut, si dhe një kantier i madh i ndërtimit të anijeve. Arkeologjia e tokës, në këtë qytet të lashtë, ndërthuret me arkeologjinë e nënujit, ku çdo amforë rrëfen e çdo valë mbart një kujtim të lashtë.

Në këtë mënyrë, bukuritë e Durrësit shtrihen jo vetëm në tokë, në Parkun Arkeologjik, por edhe nën ujë, ku fshihen artefakte të ndryshme që mund të shihen nga zhytësit.

Nga Dyrrahu antik janë gjetur ndër vite fragmente amforash, mbetje anijesh të mbytura, objekte tregtare dhe urbane. Ekspedita shqiptare të organizuara janë zhvilluar që në vitet 1970-1980.

Hidroarkeologjia është një disiplinë relativisht e re shkencore që lindi në fillim të shekullit XX, megjithëse interesi për objektet e mbytura në det ka ekzistuar që në kohët antike. Arkeologjia e nënujit për shumë zhytës të detit Mesdhe e të brigjeve të tij është më tepër se një pasion. Copat e statujave, kapitelet apo enët e ndryshme rrëfejnë për jetën e zhvilluar në këto brigje mijëra vjet më parë. /KultPlus.com

Të ngjajshme