Dy gra të reja nga Kosova shpërblehen me çmime të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike

7 Gusht, 2025 - 10:20 am

Dy gra të reja nga Kosova kanë arritur të shpërfaqin talentin dhe aftësitë e tyre në skenën ndërkombëtare të teknologjisë, duke fituar çmime prestigjioze në fushën e sigurisë kibernetike.

Dredhza Braina, një 22-vjeçare nga Prishtina, ka fituar çmimin Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë “Barrier Breaker”. Ajo ka ndarë emocionet e saj në një postim në Facebook, ku shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.

“Po po, vendi i parë në botë, për mua, për ne, e për Kosovën! Fituese e çmimit Global Cybersecurity Woman of the Year në kategorinë ‘Barrier Breaker’. Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, familja ime, miqtë, komuniteti dhe dashamirët, ju faleminderit nga zemra! Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur, kanë thyer heshtjen dhe kanë thyer barrierat”, ka shkruar Braina. Ajo ka shprehur gjithashtu falënderime për ekipin e Cybersecurity Woman of the Year, sidomos për Carmen Marsh, që krijoi këtë platformë për të fuqizuar gratë në sigurinë kibernetike.

“Faleminderit jurisë Cristina Dolan, Victoria Beckman, Bianca Lins, Darren Argyle, Jessica Robinson, Helen Oakley dhe shumë të tjerëve, për besimin që më dhatë! Urime të gjitha fitueseve nëpër secilën kategori, është një nder i madh të jem mes jush! Këtë çmim e trofe e fitova me emrin tim, por do e mbaj për të gjithë bashkëkombësit e mi. Ky s’është fundi i rrugës, është vetëm hapi i radhës. Nuk do ndalemi këtu”, tha ajo.

Po ashtu, një tjetër kosovare, Luanda Domi, fitoi çmimin Cybersecurity Woman of the Year 2025 në kategorinë Supporter. Ajo ka shprehur emocionet e saj për këtë arritje në një postim në Facebook, ku ndau falënderime për të gjithë ata që e kanë votuar.

“Jam ende e emocionuar dhe thellësisht mirënjohëse që fitova çmimin Cybersecurity Woman of the Year 2025 – kategoria Supporter, i ndarë në Las Vegas me 3 Gusht mes grave dhe mbështetësve të jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë kibernetike”, ka shkruar ajo.

Ajo ka falënderuar gjithashtu familjen e saj dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

“Faleminderit nga zemra familjes sime, të gjithë atyre që votuan për mua dhe të gjithë atyre që më kanë përkrahur në këtë rrugëtim. Mbështetja juaj ka pasur domethënie të jashtëzakonshme për mua. Jam krenare që do ta sjell këtë çmim në Kosovë dhe shpresoj që të jetë një kujtesë e vogël për çdo vajzë të re: zëri yt ka vend në sigurinë kibernetike, në udhëheqje, në çdo dhomë. Mos u ndal. Bota ka nevojë për ty. Po ashtu, me kënaqësi ndaj që jam përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin Cybersecurity Woman of the World, që do të ndahet më 25 Shtator në Itali”, ka thënë Domi./KultPlus.com

Të ngjajshme