Dy institucione shkencore për projekte të përbashkëta deri te “Historia e shqiptarëve”

25 Qershor, 2021 - 12:47 pm

Botime, konferenca shkencore, ekspozita e aktivitete të përbashkëta do të jenë projektet e përbashkëta mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar. Nëpërmjet një protokolli të bashkëpunimit, të nënshkruar të enjten, të dyja palët kanë rënë në ujdi edhe për bashkërendim për projektin kapital “Histori e shqiptarëve”.

Me shkëmbim botimesh e bashkërendim programesh, institucionet albanologjike e ato muzealenë Shqipëri po synojnë t’i çojnë përpara nismat e përbashkëta albanologjike.

Në këtë fokus është edhe projekti kapital “Historia e shqiptarëve”, në përpilimin e së cilës tashmë janë përfshirë akademitë në të dyja anët e kufirit.

Të enjten, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinëe Shkencave të Shqipërisë, si dhe Muzeu Historik Kombëtar kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi.

Përmes tij të dyja palët janë ujdisur që të institucionalizojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm në arritjen e objektivave dhe qëllimeve të përbashkëta për këtë vit.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar pranë Ministrisë së Kulturës bien dakord të institucionalizojnë me anë të këtij protokolli një bashkëpunim të qëndrueshëm në arritjen e objektivave e të qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në këtë protokoll, i cili është afishuar në faqen zyrtare të institucionit më të lartë akademik në Shqipëri.

Sipas nenit 2, të dyja palët nënshkruese janë pajtuar që ta njoftojnë njëra-tjetrën me programet e punës, ashtu që bashkëpunimi të jetë i përsëritshëm periodikisht.

Po ashtu, siç është paraparë në këtë protokoll, Akademia e Shkencave është zotuar se do të sigurojë pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në procesin e rikonceptimit e të pasurimit të linjës muzeale. Po kështu, edhe Muzeu Historik Kombëtar do të kontribuojë me kapacitetet e tij njerëzore dhe me fondet e fonotekës në realizimin e projektit madhor “Histori e shqiptarëve”.

Siç përcjell kumtesa e ASh-së, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin që do të sjellë ky protokoll.

“Lidhjet që Akademia ka me historinë dhe punën që po bën për hartimin e saj do të krijojnë një marrëdhënie të mirë të shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet dy institucioneve, ndaj këto bashkëpunime janë të mirëpritura”, ka thënë Koçi.

Ndërkaq akademik Pëllumb Xhufi citohet të ketë thënë se Muzeu Historik Kombëtar ka një personel të formuar e të denjë. Sipas tij, ky bashkëpunim do të ndihmojë edhe më shumë në realizimin e projektit madhor “Histori e shqiptarëve”. / KultPlus.com

Të ngjajshme