MKRS për vdekjen e Vjosa Berishës: La zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë

23 Qershor, 2022 - 2:23 pm

Sot, arti kosovar mori lajmin e trishtë për vdekjen e producentes së mirënjohur, Vjosa Berisha, përcjell KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook e ka konsideruar vdekjen e Vjosa Berishës si një ikje të parakohshme që la zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha.

Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.

Vjosa Berisha, në 50 vitet e saj, la një trashëgimi mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” për më shumë se një dekadë. Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishte i pashoq dhe do ti mungoj gjithë komunitetit artistik.

Sot nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë.

Ngushëllime familjes, miqve, dhe shoqërisë tonë!./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme