Dyqani tjetër

22 Korrik, 2020 - 6:00 pm

Shkruan: Ibrahim Berisha

Dyqani tjetër

Kjo kishte ndodh’ në Shkodër. Pikërisht në Pazarin e Shkodrës, në njërin nga tre mijë dyqanet e atij qyteti, i cili si atëherë si tash, gjithmonë mbet’ më afër ujit se tokës.

Nuk e kisha folur ndodhinë e moçme, po t’mos ishte përsëritur edhe në Shëngjergj dhe unë të mos trishtohesha nga urtësia dhe arroganca e dy botëve që bashkjetojnë nëpër shtëpitë, rrugët dhe dyqanet e qytetit dhe të qyteteve motra të Shkodrës.

Ai fëmijë, Ahu, i lazdruar dhe i trimëruar nga përkëdhelitë e erës, të aromës së luleve, i gulçuar nga vëzhgima e ujit, zbriti në Shkodër, në qytetin më të bukur dhe më të pikëlluem ndër të gjitha qytetet e botës sonë, të lagur vajtueshëm nga të gjitha anët me ujë të ambël. Hyni në dyqan argjentari si hyn era e krypës së detit në ag brenda dritareve të shtëpive shtatulëta.

Mbasi kish bërë gjithë atë udhë së shikuari kërcënueshëm, tha do ta gjej ku dua unë, fatin e dhënë.

Në dukje, shumë i zbehtë dhe i pafuqi, hyri në dyqanin e argjentarit, ende çun, Kolë Kodra që mbante me unaza e zingjirë qafe e dore Ulqin e Shas e Podgoricë, Pukë e Plavë e Guci.

I tha: O djalë, ty unë ta shkërdhefsha nanën!

Nana ime, Zoja, tha. Shkodrani u skuq vetë nga turpi i të folurit të të huajit, ia dha një llokum, e uroi, me fjalët e mira përcjellëse: Të lumtë goja o djalë, po ti qenke dukat. Fat për babën e nanën që të paskan. Të paqin për jetë e mot.

Kur djaloshi i vogël dhe i pafuqi, u bë dikur pak më i madh dhe pak më i fuqishëm, i azdisur dhe tronditës nga përkëdhelitë e erës, të aromës së luleve, të vëzhgimës së ujit, la shtëpinë e babait dhe doli në krahun tjetër të Maleve të Zeza, në Prizren e njëmijëepesëqindë dyqaneve.

Hyri në depon e pëlhurës, të Elez Kolës që merrte pëlhurën më të mirë të Venedikut, e hidhte në shtatin e vajzave e grave më të bukura të Prizrenit dhe të gjithë Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit, edhe më larg, të Edrenesë e të Peshtës e të Vjenës.

I tha: O burrë, ty unë ta shkërdhefsha qikën në duvak t’duvakut.

Po prizrenasi u skuq vetë nga turpi, mbylli me shpulakën e hollë gojën dhe uli kokën deri mbi dërrasën e arkës.

Doli shpejt, bleu bakllavë dhe ia qiti përpara: Të lumtë goja o djalë, po ti qenke dukat. Fat për babën e nanën që të paskan. Të paqin për jetë e mot.

Urimi e rriti edhe më shumë djalin.

Kur ai u bë më shumë burrë se djalë, i plotpushtetshëm nga era, lulet dhe uji, plot zjarr ngacmimtar përbrenda shpërthimit dhe tundimit, doli një ditë në Shkup.

Hyri në dyqanin e Likë Elezit. I tha: O burrë, ty unë ta shkërdhefsha gruan në shtrat të shtratit. Shkupiani i ra hija e turpërimit më shumë se kish aty edhe djalin njëmbëdhjetë vjeç. Nxori nga poshtë dërrasa e stolisur drekën e vet, që ia kishte sjell gruaja e saposharë. Ia shtroi përpara. I solli edhe ujë.

I tha: Të lumtë goja o djalë, po ti qenke dukat. Fat për babën e nanën që të paskan. Të paqin për jetë e mot.

Kur ai djalë u bë burrë burri, doli përsëri në Shkodër. Hyri përsëri në dyqanin e Kolë Kodrës, një burrë i gjatë e kokëulur, duke shikuar unazën e Soses, të bijës së flamurtarit të Flamurit të Berishës që do të martohej në Shmitër.

I tha: O burrë, unë ty të shkërdhefsha gjithçka që mund të shkërdhehet, madje të shkërdhefsha edhe atë gjithçka që nuk mund të shkërdhehet.

Argjentari u skuq, u turpërua shumë më shumë se dikur, herën e parë. E kish aty edhe shegertin. Nxori një lirë me vegë, ia la në dorë burrit avdall.

I tha: Të lumtë goja o burrë, po ti qenke më i mirë se ari. Fat për gruan dhe fëmijët që të paskan.

Burri doli dhe pastaj hyri në dyqanin e kobureve të stolisura me fije argjendi.

Ka m’e vra, tha shegerti.

Moti a ka vra veten, tha argjentari.

Të ngjajshme