Edhe vendet nordike po përballen me një valë të nxehti të pazakontë këtë verë

2 Gusht, 2025 - 9:31 pm

Në pjesët veriore të Evropës, ku zakonisht mbizotërojnë temperaturat e ulëta, temperaturat këtë verë kanë kapërcyer 30°C për periudha të zgjatura. Në Arktikun norvegjez, për shembull, një stacion moti ka shënuar temperatura mbi 30°C për 13 ditë rresht në korrik. Ndërkohë, në Finlandë, vala e të nxehtit ka zgjatur tri javë me temperatura të larta – më e gjata që nga viti 1961, dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.

Sipas Mika Rantanen nga Instituti Meteorologjik Finlandez, kjo valë është tepër e pazakontë, me temperatura që shkojnë deri në 33°C. Edhe në zonat arktike janë regjistruar temperatura mbi 25°C për tri javë, çka mund të thyejë rekorde edhe në muajin gusht. Edhe Instituti Meteorologjik i Norvegjisë ka raportuar temperatura mbi 30°C për 12 ditë të ndryshme në pjesët më të largëta të veriut të vendit.

Suedia gjithashtu po përjeton të nxehtë të madh. Në qytetet Haparanda dhe Jokkmokk temperaturat kanë qëndruar mbi 25°C për dy javë rresht, nivele që nuk janë parë për më shumë se një shekull.

Ndërkohë që këto vende janë të pajisura mirë për të përballuar dimra të ashpër, infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për temperaturat e larta. Sipas studiuesve, numri i ditëve të nxehta në këto rajone pritet të rritet gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Të ngjajshme