Edi Rama: I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë

5 Mars, 2022 - 12:21 pm

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku kanë biseduar për luftën që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi i Rusisë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Edi Rama ka ndarë bisedën në formë të videos, ku edhe i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.

Postimi i tij i plotë:

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falenderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkroi Rama. /KultPlus.com

Të ngjajshme