Vizitë e delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Akademinë e Shkencave të Lituanisë

26 Shtator, 2023 - 10:14 am

Delegacioni u prit nga zëvendëspresidenti i Akademisë së Shkencave të Lituanisë, prof. Zenonas Dabkevičius, dhe më pas vizituan së bashku Universitetin e Vilniusit, ku u takuan me zëvendësrektoren dhe prorektoren për kërkime, prof. Edita Sužiedėlienė.

Gjatë takimit, të dyja palët shprehin interesin e lartë për bashkëpunime më të ngushta në të gjitha fushat studimore.

Vizita katërditore do të kulmojë sot me një mbledhje ceremoniale të Presidiumit të Akademisë së Shkencave të Lituanisë, ku do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Lituanisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Delegacioni përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vizitoi Qendrën e Shkencave të Jetës, ku u prit nga drejtori prof. Daumantas Matulis dhe prof. Aurelija Žvirbliene. Aty u njohën me funksionimin dhe organizimin e qendrës studimore që është një nga institucionet më të rëndësishëm kërkimoro-shkencore në Lituani.

Mbresëlënëse ishte edhe vizita në Institutin e Letërsisë dhe Folklorit Lituanez, ku në takimin me drejtoreshën prof. dr. Aušra Martišiūtė-Linartienė, u diskutua për prioritetin që i japin të dyja akademitë kombëtare të shkencave, përkatësisht albanistikës dhe lituanistikës, krahas shkencave të sakta./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme