19 Qershor, 2025 - 2:55 pm
“Kujtesa e Mesdheut – Nga antikiteti në kohët moderne” titullohet ekspozita e çelur në në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.
Në ekspozitën e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nëndrejtorja Majlinda Toçi, diplomatë, studiues, historianë e personalitete të fushave të interesit.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin nga afër materialet e ekspozuara, të gjitha pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “kjo ekspozitë është një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, ku u sollën në vëmendje mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV deri në XIX – libra, dorëshkrime, harta e gravura”.
“Kjo ekspozitë, me ndarjen e saj tematike të kujdesshme dhe thellësinë kulturore që ofron, është një kontribut i vyer në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë dokumentare. Një ftesë për të reflektuar mbi vendin e Shqipërisë në historinë e Mesdheut dhe për të rigjetur lidhjet tona me Lindjen, Perëndimin dhe vetveten”, tha Gonxhja.
Ekspozita, e cila vendos në qendër të saj gjithë ngjyrat dhe diversitetin e gjerë kulturor, fetar, shoqëror e politik të Mesdheut, shfaq për publikun e gjerë libra, dorëshkrime, harta e gravura mes viteve 1300-1900.
Përmes një ndarjeje tematike të qartë, ekspozita përfshin autorë klasikë, trashëgimi bizantine, botime veneciane dhe vepra që pasqyrojnë marrëdhëniet kulturore të Mesdheut me Lindjen.
Ministri e vlerësoi këtë nismë si një kontribut konkret në ruajtjen, promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë sonë dokumentare, si dhe një mundësi për të nxitur interesin publik ndaj historisë dhe rolit të Shqipërisë në këtë hapësirë të gjerë kulturore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 korrik, çdo ditë, në oraret 09:00-20:00./ KultPlus.com